Nesër pritet të mbërrijnë në portin e Shëngjinit dy anije me emigrantë, e para në orën 15:00 me 15 emigrantë dhe e dyta rreth orës 19:00 me 25 emigrante si pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Itali. Ata do të akomodohen përkohësisht në qendrën e pritjes në Gjadër. Ky fluks pritet të rritet, por konfirmohet se në vazhdim do të operohet me linjat ajrore për të sjellë emigrantët.
Ky proces synon menaxhim më të organizuar të emigracionit dhe lehtësim të procedurave të riatdhesimit për emigrantët pa dokumentacion të rregullt. Afati maksimal i qëndrimit në qendrën e Gjadrit do të jetë 18 muaj.
Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Piantedosi, ka theksuar se politikat e reja kanë ulur ndjeshëm fluksin e emigrantëve në Itali dhe se qendrat në Shqipëri janë një model efektiv menaxhimi.
Pas një pauze të funksionimit të qendrave pritëse në Shëngjin dhe Gjadër, drejtuesit e qendrave kanë rikontaktuar punonjësit që ishin pjesë e bashkëpunimit të parë për të rifilluar punën në këto kampe duke filluar nga enjtja.
Ky bashkëpunim synon të garantojë kushte dinjitoze për emigrantët dhe një menaxhim më efikas të fluksit migrator.