Shkruan Mentor Kikia
(Mbi planin e masave për luftën ndaj krimit elektoral)
I nderuar Z. Prokuror!
Së pari dua të them se zëri e kontrubti im modest publik ka qenë vazhdimisht në mbështetje të punës së SPAK, në përpjekje për të bërë (sadopak) drejtësi në këtë vend. Dhe do të vazhdojë të jetë i tillë.
SPAK ka bërë publik një plan masash mbi “Zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”.
Vendosa që qëndrimin tim mbi këtë temë t’ua drejtoj personalisht, duke menduar se modestisht mund të ndihmoj në këtë çështje të madhe!
Hetimi i krimit zgjedhor është absolutisht shumë i rëndësishëm. Sepse nga devijimi i votës, deformimi i demokracisë dhe vjedhja e pushtetit buron çdo lloj vjedhjeje tjetër. Dua të adresoj vetëm njërën nga format më masive, më të rënda dhe më me ndikim në morinë e shkeljeve që klasifikohen si vepra penale të krimit zgjedhor.
-Financimi i partive dhe fushatës elektorale!
Mund të ketë qenë një mungesë vëmendjeje fakti që ky “element” nuk figuron në Planin e Masave. Në “kapitullin” – Monitorimi Financiar – ju parashikoni vetëm monitorimin e shpenzimeve të buxhetit për investime me efekt elektoral.
Gjatë zgjedhjeve në SHBA, ne këtu në Shqipëri e dinim me saktësi se sa para kishte mbledhur nga donatorët Donald Trump dhe sa dyshja Biden/Harris. Madje edhe se kush ishin donatorët më të rëndësishëm. Por ne kurrë nuk kemi ditur dhe nuk dimë, se kush dhe sa i financon fushatat e partive në Shqipëri, nga ato të mëdha deri tek më të voglat.
Partitë shqiptare hapin llogari bankare në çdo bankë për të mbledhur donancione, por ato nuk u publikojnë as shumat, as donatorët. Thonë vetëm se i kemi kuota anëtarësie!!!!!!
Ato shpenzojnë dukshëm shumë më tepër para nga sa u jep shteti, por ky financim është informal.
Fushata për votën e emigrantëve ka hapur një tjetër kapitull kostosh: Zyra me qera, salla takimesh, udhëtime me avionë e makina, hotele dhe njerëz që punësohen për të kontaktuar e regjistruar votues…
Kush i paguan këto kosto?
Rregullisht shikojmë zyrtarë lokalë e qëndrorë nëpër aktivitete jashtë vendit: Udhëtojnë më paratë e institucioneve ata? Nëse po, kjo është shkelje. Nëse jo, kush ua paguan kostot? Shikojmë aktivitete edhe të partive të tjera dhe sërish e njëjta pyetje:
Kush paguan?
I nderuar Z.Prokuror!
Blerja e votës është forma më flagrante e krimit elektoral. Por duhet të dini që është krimi me ndikimin më të vogël në rezultatin e zgjedhjeve. Politika sot, para se t’u blejë votën, u blen mendjen njerëzve. Fushata në terren, zyra me qera, njerëz të punësuar, produkte reklamimi për rrjetet sociale, fotografë e kameramanë, skena e koncerte, këngëtarë e regji televizive, autobusë që transportojnë mitingashë, tapete e karrige, flamuj, bluza, kapele e banera, dhe reklamat e kushtueshme televizive që joshin e dehin votuesin e trullosur ndërkaq. Të gjitha këto kushtojnë shumë para.
Sërish pyetja është: Kush paguan?
Ne e dimë! Kostot e fushatave i paguajnë bizneset. Me bankë, por nuk deklarohen. Cash, por sërish nuk deklarohen. Në natyrë, si tollona nafte, autobusë, apo mbulime shërbimesh të tjera e sërish nuk deklarohen.
Ata që financojnë sot partinë në pushtet, paratë do ti marrin mbrapsht shumëfish, me tendera e koncensione. Të njëjtën gjë presin edhe ai/ata që mbështesin atë që është në opozitë. Madje ka nga ata që i financojnë të dyja palët, që të jenë në rregull.
Ai që financon politikën në mënyrë informale, pra blen korrupsionin. Kështu u krijua oligarkia ekonomiko-politike. Ndaj tenderat dhe koncensionet më të mëdha i ndajnë në tavolinë jo më shumë se 10 kompani.
Ne e dimë! Kostot i paguajnë edhe njerëzit e lidhur me krimin. Ndaj në këtë vend politika, biznesi dhe krimi u bënë një sindikatë. Sepse politika ka nevojë për para dhe ata ia ofrojnë.
Unë kam marrë pjesë në nja 40 tryeza me ambasadorë e ekspertë të huaj, për nja 20 vjet rresht, ku rregullisht kërkohej: “Transparencë financiare për partitë politike”. Por, gjëja për të cilën kanë rënë dakord partitë në Shqipëri, pa negociuar fare, është të mos tregojnë kush u’a furnizon serbatorin.
Unë kam punuar në një projekt për të monitoruar shpenzimet reale të partive, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013. U zbulua se deklarimi që ato bënë në KQZ ishte vetëm 20% e asaj që kishte përllogaritur monitorimi. Dhe llogaritë e projektit ishin shumë larg shpenzimeve reale. Këtë dokument denoncues prokuroria e kohës refuzoi ta marrë si argument. Edhe KQZ refuzoi ta lexonte.
Ndaj, i nderuar Prokuror!
Nëse vërtet doni të hetoni krimin elektoral, niseni tek paratë e fushatës. Kërkojuni partive, të gjithave pa përjashtim, që sot, t’ju tregojnë se kush i mbulon shpenzimet e udhëtimeve nëpër botë.
Kërkoni të verifikoni llogaritë bankare që ato kanë hapur apo do të hapin.
Bëni një montorim të përciptë të shpenzimeve reale, është shumë e thjeshtë, e do të kuptoni se ato që partitë deklarojnë në KQZ janë vetëm thërrime.
As krimi elektoral e as korrupsioni, nuk do të luftohen kurrë nëse nuk mbyllet rubineti i parave të korrupsionit dhe krimit që furnizon makinerinë elektorale e politike.
Me shpresën se kam ndihmuar modestisht, duke sjellë në vëmendje një problem të madh.