Djathi i “EKA bebe” me vaj palme

0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit raportoi ditën e premte për bllokimin e 112 kg “djathë bebe të shkrirë” për mosdeklarim të të gjithë përbërësve ushqimorë në etiketë.

Mësohet se AKU ka zbuluar se produkti kishte në përbërje vaj palme, por që nuk ishte deklaruar në etikë. AKU e fshehu emrin e subjektit dhe të dhënat e tjera të produktit të zbuluar me vaj palme, por mësohet se bëhet fjalë për djathin bebe të shkrirë, “Eka bebe”, prodhim i kompanisë EKA – 2001.

Përdorimi i vajit të palmës në produktet me origjinë shtazore është thuajse masiv. Por, në shumë raste, ai fshihet dhe nuk deklarohet në etiketë. Në këto raste është shkelje ligji, por në rastet kur u frohet fëmijëve në produktet e tyre, pa e ditur prindrit se çfarë po iu blejnë, është kriminale.

Djathi që ka rezultuar me prani të vajit të palmës me emërtimin “Djath i shkrirë Eka Bebe” mban datën e prodhimit 22.08.2023 dhe afat përdorimi deri më 22.02.2024. AKU është mjaftuar vetëm me një gjobë ndaj subjektit në vlerën e 100 mije lekëve të reja dhe produkti nuk është asgjësuar, por do të rietiketohet nga subjekti dhe do të rihidhet në treg.

Njoftimi i AKU-së:

AKU bllokon 112 kg “djathë bebe të shkrirë” për mosdeklarim të të gjithë përbërësve ushqimorë në etiketë

Në kuadër të Programit të Punës mbi nisjen e hetimeve në stabilimentet prodhuese, përpunuese dhe ambalazhuese të qumështit dhe nënprodukteve të tij, janë kryer marrje mostre dhe kontrolle zyrtare, në këto subjekte. Nga analizimi i produktit “djathë bebe i shkrirë” i mostruar në stabilimentin e përpunimit “E”, ka rezultuar me përmbajtje të yndyrnave bimore.

Referuar përgjigjes së raport provës janë kryer verifikimet në terren, ku janë marrë masat konform legjislacionit në fuqi, duke bllokuar produktin në sasinë e 112 kg deri në notifikimin e etiketës, pasi subjekti nuk ka kryer detyrimin ligjor për deklarimin e të gjithë përbërësve (lëndë e parë) në etiketën me të cilën tregtohet produkti. Për këtë arsye është vendosur masë administrative “gjobë” në vlerën e 100’000 lekëve. Për veprime të mëtejshme, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me kontrolle në të gjithë vendin në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu