Unioni i Gjyqtarëve me anë të një letre drejtuar KLGJ-së, Policisë, Prokurorisë SPAK-ut dhe AMA-s, ka dhënë alarmin se tri media po denigrojnë figurën e gjyqtarëve.
Ata kanë kërkuar që të merren masa të menjëhershme ndaj atyre mediave që ata i akuzojnë se kanë filluar një fushatë sipas tyre denigruese ndaj gjyqtarëve.
Unioni i gjyqtarëve thotë se mediat si “prapaskena.com”, “demaskimi”, “in-front.org” etj apo edhe gazetarë (individ) kanë sulmuar personalisht Zv./kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Zv/kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, një Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, një Gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke aluduar për histori që as nuk i korrespondojnë realitetit, as sjellin ndonjë benefit për publikun.
Sipas Unionit, gjuha e përdorur ka qenë një gjuhë fyese, intimiduese, kërcënuese, duke përbërë qartazi krim urrejtjeje, përveç shpifjes ndaj një gjyqtari, si funksionar i sistemit të drejtësisë.
Unioni kërkon reagimin e menjëhershëm të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për të ndërmarrë masa për identifikimin e zotëruesve të këtyre portaleve e çdo portali/ subjekti që do të veprojë në të njëjtën formë të kundërligjshme në të ardhmen dhe paraqitjen e kërkesës për mbylljen e tyre, për shkak të kryerjes së veprave penale të shpifjes, fyerjes së gjyqtarit, si dhe për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes.
Fillimin e procedimit penal e kryerjen e hetimeve të menjëhershme për rastet e sipërcituara.
Veprimin automatik e të menjëhershëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, kundrejt çdo individi apo subjekti publikues, që me veprimet e tij ka shfaqur apo do të shfaqë në të ardhmen, gjuhë urrejtjeje duke kërcënuar kështu mediatikisht gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë.
Reagimin e menjëhershëm të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për konstatim të diskriminimit mediatik, nëpërmjet përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe përndjekjes mediatike, për shkak profesioni dhe/ose përkatësie gjinore.






