Ndryshimet në Qeveri/ Olta Xhaçka zbret nga avioni e bëhet Ministre e Jashtme, ne mbrojtje kalon Peleshi

0

Olta Xhaçka do të drejtojë Ministrinë e Jashtme, ndërsa në vend të saj në postin e ministrit të Mbrojtjes, është emëruar Niko Peleshi.

Ndryshimet janë njoftuar në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama.

Në këtë mënyrë, duket se Kryeministri ka bërë gati ekipin qeveritar me të cilin do të përballojë fushatën e 25 prillit, duke kthyer në Qeveri, pas një largimi 4 vjeçar, drejtuesin politik të Qarkut të Korçës, Niko Peleshi, ndërsa Xhaçkës i ka besuar diplomacinë, pozicion që vetë Rama e mbante prej 1 viti, ndërsa i komanduar ishte Gent Cakaj.

Rama mbajti për gati 1 vit postin e ministrit të Jashtëm, pasi Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi zv.ministrin Gent Cakaj, i cili u komandua nga Kryeministri si ministër në detyrë.

Me lëvizjen e fundit, Rama duket se ka vendosur të heqë dorë zyrtarisht nga drejtimi i diplomacisë, të spostojë Cakajn në pozicionin e mëparshëm, pra si zv.ministër, dhe t´i besojë Olta Xhaçkës drejtimin e Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, vakumin e krijuar në Qeveri, Rama ka menduar ta plotësojë me Niko Peleshin, i cili ka mbajtur më parë postin e zv.Kryeministrit, më pas të ministrit të Bujqësisë, por u largua nga Qeveria duke u lënë në hije për pothuajse një mandat të plotë. Tashmë me afrimin e zgjedhjeve, Rama ka menduar të angazhojë drejtuesit politikë të qarqeve në pozicione ministrash, duke përfaqësuar në këtë mënyrë edhe Qarkun e Korçës me një post të tillë.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, njofton Rama.

Pak javë më parë, Kryeministri u detyrua të largonte Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm, duke kaluar në vend të tij, Bledi Çuçin, ndërsa në qeveri u përfshi Milva Ekonomi, si ministre e Bujqësisë, pozicion që më parë mbahej nga Çuçi.

Çuçi është drejtues politik në Qarkun e Gjirokastrës, Xhaçka në atë të Dibrës, ndërsa Peleshi në qarkun e Korçës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu