Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten mjaft të angazhuara për të çuar përpara reformën në drejtësi të ndërmarrë nga shteti shqiptar. Për këtë arsye, SHBA së fundmi ka përgatitur një plan 4-vjeçar për Shqipërinë, ku renditen të gjitha prioritetet dhe objektivat që misioni diplomatik, pra ambasadori i ri, duhet të përmbushë gjatë kësaj periudhe me qëllim që reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit të vijojë në udhën e duhur.
Raporti është publikuar nga “Integrated Country Strategy”, pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila përgatit strategjinë 4-vjeçare të SHBA për vende të caktuara, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Në planin 4-vjeçar të amerikanëve për vendin tonë bie në sy mbështetja e tyre për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, raporton ‘Sot’.
Kjo do të thotë se ambasadori i ri i SHBA, i cili nuk është zgjedhur akoma, do të jetë i angazhuar në konstituimin e këtyre organeve dhe do ta ketë këtë një prioritet kryesor. Në plan theksohet se BKH do të jetë sipas modelit të FBI, ku në vend do të mbërrijnë edhe agjentë të FBI për të dhënë asistencën e tyre në punë.
“Reforma e gjyqësorit të korruptuar të Shqipërisë mbetet prioritet kryesor i misionit amerikan në vend. Në korrik 2016, Parlamenti miratoi njëzëri amendamentet kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Mbështetja e fortë e SHBA për reformën u konsiderua si jetësore për votimin e suksesshëm në Parlament, ndërsa edhe angazhimi i vazhdueshëm i SHBA në zbatimin e plotë të reformës shihet si vendimtar.
Si pjesë e reformës, Shtetet e Bashkuara mbështesin krijimin e një Njësie Speciale Anti-Korrupsion (SPAK), e cila përfshin Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, sipas modelit të FBI. Në Tiranë do të mbërrijnë edhe agjentë të FBI”, thuhet në planin afatgjatë të SHBA për Shqipërinë.
Goditja e korrupsionit dhe angazhimi i SHBA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë objektiv kryesor edhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Gjatë 4 viteve të ardhshme ata kërkojnë që të arrihen rezultate të prekshme në këtë drejtim, ndërsa prioritet i emrit të ri që do të përfaqësojë SHBA në Shqipëri do të jetë edhe dhënia e ndihmës që të zbatohet ligji në çdo nivel.
“Zbatimi i reformave të sundimit të ligjit, kufizimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i sigurisë dhe inkurajimi i zhvillimit të shoqërisë civile mbeten qëllimet kryesore të politikës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Për të ndihmuar në forcimin e sundimit të ligjit, misioni i SHBA në Shqipëri do të fokusohet në reformat e reja gjyqësore, duke punuar për të rritur aftësitë e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.
Kjo do të arrihet duke mbështetur institucionet e reja të reformës gjyqësore, duke përfshirë prokurorët anti-korrupsion, hetuesit, Këshillin e Larë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ndërhyrjet e misionit të SHBA do të synojnë të forcojnë institucionet demokratike dhe të rrisin transparencën, të nxisin sundimin e ligjit dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, të nxisin Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin ndërkufitar”, thuhet në detyrat drejtuar ambasadorit.
Amerikanët po ashtu gjatë këtij 4-vjeçari do të ofrojnë mbështetje edhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili mbikëqyr dhe vëzhgon verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që të mos ketë asnjë manipulim të procesit të vetingut dhe vendimet për subjektet e rivlerësimit të jenë të drejta.