Zëri i Kjara Pepushaj “përkund” në Kelmënd “Djep kreshnikësh”

0

Shkruan Albert Vataj

Muzika shqiptare, në përgjithësi, ajo malësore në veçanti, sa vjen dhe pasurohet me emra dhe zëra, me forca të reja përtëritëse të atij repertori që u ndez nga vibrimi i melodive të lahutës, gjëmoi nga tërbimi i tupanave, rrebeshi nga ritmi i çiftelive, e pikoi me zërin prej qielli të fyellit.  Muzika, kjo shprehi shpirti gufoi në flakën e barutit dhe vetëtiu në gjëmimin e zemrave malësore, për t’i kënduar; gëzimeve dhe hidhërimeve, trimave që dhanë jetën për liri, bukurisë dhe traditës, vlerave dhe virtyteve. Kënga lindi dhe jetoi me njerëzit, shpalosi pasurinë shpirtërore dhe ngriti urat e larta të komunikimit ndërmjet brezave. Pa këngën malësore; melodinë e saj, ngjyrën dhe ritmin, pastërtinë dhe përshkueshmërinë, ndjeshmërinë dhe grishjen, ne ndahemi me të shkuarën, na mbeten peng amanetet, na shuhet zjarri në vatër e na fiket gjaku në deje. E trashëguam atë dhe do ta pasojmë brezave si në visar i çmuar i asaj pasurie që na jep emrin malësor. Ky amanet, ky premtim, kjo thirrje e gjakut dhe e jehonave, kjo gurgullimë bjeshkësh e ai tufan zemëratash dimri, ajo krenari trimërie e ai zë i lartë kushtrimi, ajo urtësi e kulluar dhe ai pasion i ndezur në gjak, ka thirrur vajzën malësore, Kjara Pepushaj, t’i këndojë Kelmendit dhe Malësisë, ti këndojë trimave dhe bukurisë, t’i këndojë vendorigjinës dhe zemrës që ndjen ajo.

“Djep kreshnikesh”, e cila ka pak kohë që është lançuar nga TV Blue Sky në YouTube dhe në kaq pak ajo ka mundur të rrëmbejë interesimin dhe të marrë vlerësime maksimale nga dëgjuesit e shumtë që e kanë ndjekur dhe e klikojnë për ta dëgjuar dhe për ta parë këtë interpretim të Kjara Pepushaj.

“DJEP KRESHNIKESH” është një shkrëndi e dritës dhe flakërim e asaj pasurie shpirtërore që vjen nëpërmjet një vikali të fuqishëm, një interpretimi virtuoz nga Kjara Pepushaj, bijë e malësisë, vazhdim i traditës dhe manifestim i asaj dashurie që i këndohet vendit të origjinës, vendit të kreshnikëve, vendit të trimave dhe urtësisë, vendit të historive të lavdishme për liri, dinjitet dhe atdhetarizëm.  Kjara Pepushaj, vajza e Vera dhe Sokol Pepushaj, promovohet me këtë këngë, si një zë premtues i varganit të gjatë të këngëtarëve, instrumentistëve dhe muzikantëve të talentuar që nxori kjo trevë. Kjara Pepushaj është një zë i ri dhe një ngulm fillues në botën e madhe të muzikës shqiptare, kësaj tradite e cila ka pranuar në gjirin e saj rryma të ndryshme dhe risi artistike. Por duhet theksuar se kënga shqiptare, kënga e traditës dhe e asaj pasurie shpirtërore prej edhe nga e ka origjinën muzika jonë, është ajo e cila duhet mbështetur dhe promovuar, si një ruajtëse dhe promovuese e atyre vlerave, pa të cilët nuk mund të kuptohet identiteti ynë krijues.

Kjara Pepushaj me “Djep kreshnikesh” fillon rrugën e saj të këngës dhe i bashkëngjitet një sfide e cila sa vjen dhe bëhet edhe më e ashpër, e një ballafaqimi, që sa vjen dhe vë në provë energjinë shpirtërore me të cilën përfaqësohet në këtë ndeshje. Vajza e re malësore, Kjara Pepushaj, i bashkohet zërave dhe personaliteteve të shumë të këngës, për të dëshmuar jo vetëm pasionin e saj për muzikën, por edhe egon artistike dhe ambicien për të pretenduar një vend të privilegjuar në panteonin e këngës. Ndoshta është ende herët për të parathënë cakun që ajo pretendon se do të arrijë, por një fillim i mbarë është premtues për këngëtaren e talentuar, Kjara Pepushaj. Suksesi me “Djep kreshnikesh” është nxitës i fuqishëm për të vazhduar dhe besuar në ëndrrën e saj të këngës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu