Vodafone ngre çmimet për kontratat me afat të internetit

0

Rritja e shpejtë e inflacionit në muajt e fundit po reflektohet në shtrenjtim të çmimeve edhe në tregun e telekomunikacioneve.

Operatori më i madh i telekomunikacioneve në vend, Vodafone Albania, njoftoi të hënën se duke filluar nga data 28 maj do të rrisë me 100 Lekë në muaj të gjitha tarifat e planeve për klientët e segmentit konsumator, për shërbimet fikse me kontrata standarde 12 dhe 24 mujore.

Në njoftim thuhet se kjo rritje do të shoqërohet me përfitime ekstra për ato kategori klientësh që kanë shpejtësi më të ulët se 30 Mbps, të cilët do të kenë përmirësim të ndjeshëm.

Vodafone argumenton se ky ndryshim vjen si rezultat i ndryshimit të normave të inflacionit rezultat i krizave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si karburantet, energjia, etj, me impakt direkt në kostot dhe marzhet e biznesit në telekomunikacion si dhe për të siguruar nga ana tjetër që cilësia e shërbimit tek klienti fundor nuk do të impaktohet.

Vodafone sjell si referencë ligjore për klientët e vet dispozitat e ligjit 9918/2008, i ndryshuar dhe Rregullores “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, duke shtuar se ka marrë të gjitha masat për njoftim individual dhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv për t’ua komunikuar këtë klientëve të impaktuar nga ky ndryshim që të rivlerësojnë kontratën e tyre dhe t’u bëhet me dije mundësia për t’u shkëputuar nga kontratat pa penalitet, në rast se nuk janë dakord me rritjen e tarifës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu