Vila 760 mijë €, pasuria e 4 të përfolurve! Shehu hotel dhe 6 shtëpi, Noka 175 mijë € shtëpi e 2 garazhe, Leskajt i ‘avullon’ pasuria rrugës, Spaho përfitoi si i pastrehë

0
Shkruan Adriatik Dpçi
Një vilë në Gjirin e Lalzit, me vlerë të pretenduar 760 mijë euro, është kthyer në ‘mollë sherri’ në kampin e opozitës, e cila është ndarë në tre grupe kundërshtare. Deri më sot nuk ka asnjë provë për pronarin formal apo real të vilës së denoncuar nga Gazment Bardhi, por vetëm emra të përfolur dhe të dyshuar. Rrethi të përfolurve si pronarë të mundshëm të vilës është ngushtuar tek Flamur Noka, Tritan Shehu, Edmond Spaho dhe Bujar Leskaj. Katër të përfolurit nuk kanë pranuar lidhjen me vilën, por që të katërt, përpos ‘Rithemelimit’, i bashkon edhe diçka tjetër, pasuria e konsiderueshme që posedojnë, me plot pikëpyetje, dyshime dhe paradokse.

Deputeti dhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka deklaron një apartament banimi me sipërfaqe 190 m2, me vlerë 151 mijë euro, si dhe dy garazhe me vlerë 24 mijë euro. Si burim Noka deklaron shitjen e një apartamenti të përfituar me kredi të butë nga shteti si i pastrehë. Noka deklaron edhe një makinë me vlerë 40 mijë euro, si dhe një llogari bankare 5 milionë lekë ose rreth 50 mijë USD. Bashkëshortja Eva Noka, e cila punon në Universitetin e Tiranës me një pagë 82 mijë lekë në muaj, deklaron blerjen e një makinë me vlerë 600 mijë lekë, me kursime. Të ardhurat e Nokës janë paga e tij si deputet dhe paga e bashkëshortes. Noka është akuzuar nga ish-deputeti i PS-së Alket Hyseni se ka përfituar tre apartamente në një pallat në Sarandë, ndërtuar për të pastrehët, akuzë që nuk është pranuar nga deputeti i PD-së,

Tritan Shehu, me hotel dhe 6 shtëpi

Deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaron 8 pasuri të paluajtshme nga Gjirokastra deri në Tiranë. Në deklaratën e pasurisë së shtatorit 2021, para se të merrte mandatin e deputetit, Tritan Shehu deklaroi ambiente banimi me sipërfaqe 440 m2 në Tiranë, me vlerë 220 mijë euro, transformuar në  ‘Guest House’ ose bujtinë. Shehu deklaron një apartament 195 m2, me vlerë 2.5 milionë lekë, një tjetër apartament 135 m2 me vlerë 63 mijë euro, apartament 105 m2 me vlerë 135 mijë euro dhe shtëpi në Plazh Durrës, me sipërfaqe 138 m2. Shehu deklaron gjithashtu se është pronar me 1/3 të një shtëpie dy kate në Gjirokastër si dhe i një shtëpie të pabanueshme në Himarë, 3 mijë m2 tokë në Palasë, Himarë, është pronar me 1/4 i 1260 m2 tokë në Shkozet të Durrësit, i 180 m2 tokë, pronar me 1/3 të 100 hektarë tokë në Gjirokastër, ndërsa ka në pronësi të plotë një makinë BMW X5. Tritan Shehu deklaron 32 mijë euro pagë nga Universiteti ‘Zonja e Këshillit të Mirë’, ndërsa thotë se do të shesë një dyqan 30 m2 dhe një apartament 71 m2 në Durrës.

Bujar Leskaj, misteri i ndryshimit të pasurisë 

Deputeti i PD-së Bujar Leskaj, ish kryetar i KLSH-së, deklaron se është pronar i 62.5 % të një apartamenti 60 m2 në Vlorë, privatizuar në vitin 1993. Truall 332 m2 dhe një godinë 3 kate të vjetër në Vlorë, me vlerë 125 mijë euro, të cilën e ka dhënë pa shpërblim për t’u përdorur për muze. Leskaj ka shitur një apartament në Tiranë me sipërfaqe 115 m2, ku vlera mbetet e shitjes duket e paqartë, pasi deklaron vetëm 24 mijë euro të mbetur në llogarinë e shitjes.

Bashkëshortja Silvana Leskaj deklaron apartament 160 m2 dhe 25 m2 ballkon në Tiranë, dhuruar nga prindërit asaj dhe i vëllai. Deklaron porositjen e një apartament për sipërfaqe ndërtimore 356 m2, në bashkëpronësi me nënën e saj, me vlerë 53 mijë euro, me burim kursime ndër vite.

Deklaron gjithashtu një truall 500 m2 në Tragjas të Vlorës, trashëguar nga prindërit dhe gjyshërit. Mbi këtë truall është ndërtuar një godinë me 4 kate, me sipërfaqe totale 580 m2, ndërtuar në vitet 1990-2000. Këtë pasuri e ka në bashkëpronësi me vëllain. Si vlerë deklarohen vetëm shpenzimet e legalizimit.

Silvana Leskaj deklaron edhe një makinë Opel Zafira, blerë për 19 mijë euro në vitin 2004, me burim kursime familjare. Zonja Leskaj deklaron disa llogari bankare, me të cilave 4.8 mijë euro, 1.5 milionë lekë etj, ndërsa një llogari bankare rreth 14 mijë USD deklarohet në emrin e së bijës.

Ndërkaq, nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me disa pasuri të tjera që Leskaj ka deklaruar në vitin 2011, si apartament 130 m2 në Tiranë (50%), 58 mijë USD, truall në Tiranë me sipërfaqe 686 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 1 mijë m2 (50%), me vlerë 110 mijë euro, një koleksion me autorë të huaj dhe shqiptarë 60 mijë euro, dy makina Benz etj.

Edmond Spaho, përfitoi si i pastrehë 

Deputeti Edmond Spaho, i cili ka mohuar që të ketë lidhje me vilën në Gjirin e Lalzit, deklaron një apartament banimi në Tiranë, me sipërfaqe 83 m2, blerë në vitin 1999 për 1.7 milionë lekë, me kredi si i pastrehë nga Enti i Banesave. Spaho deklaron një shtesë kati në 2001 71 m2, me vlerë 600 mijë lekë. Spaho deklaron blerjen e një apartamenti në vitin 2012, me sipërfaqe 102 m2, me vlerë rreth 80 mijë euro, me këste. Deklaron depozita 24.5 mijë euro, 10 mijë euro, 2.5 mijë euro, 2 milionë lekë ose rreth 20 mijë USD dhe obligacione rreth 60 mijë USD. Spaho deklaron edhe dy makina, një Mitsubishi Pajero 23.5 mijë euro dhe një Opel 11.5 mijë euro. Bashkëshortja e deputetit Spaho, Elga Spaho, deklaron një shtëpi 62 m2 në bashkëpronësi me motrën, me vlerë 3 milionë lekë, si dhe një shtëpi në Golem, me sipërfaqe 72 m2 në një truall 233 m2, me vlerë 3 milionë lekë, si dhe një depozitë 4 milionë lekë ose rreth 40 mijë USD.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu