Shkruan Hana Fehmiu
Termi ‘asociacion’ pas 27 shkurtit dhe 18 marsit 2023, nuk ‘ekziston’ më, përveçse në diskursin e përditshëm publik dhe thjesht vetëm si inercion.
Kjo e para, dhe më e rëndësishmja, meqë tash ai nocion i formës së asociimit është reduktuar në termin e thjeshtë të vetëmenaxhimit, falë një pune përgjithësisht këshilltarie mjeshtërore ekipore, tekniko-administrative dhe institucionale.
Jo që Kosova e ka për ta ngulmuar fjalën e saj si të fundit, porse, nga shkaku se e ka për detyrë dhe përgjegjësi të patjetërsueshme mbrojtjen e rendit ligjor dhe atë kushtetues, e që këta të dy nuk lejojnë asnjë lloj versioni draft-statutësh që në cilëndo formë a mënyrë do ta de-etatizonin apo defunksionalizonin punën e mëtejshme të shtetëzimit të Republikës së Kosovës. Njëherit duke iu shkaktuar pengesa të vazhdueshme (si në dekadat tashmë të përmbyllura) në angazhimin e saj me aktivitete shumëfish intensive në procesin e integrimit në kuadër të Bashkimit Europian.
Hap pas hapi edhe komuniteti serb do të kuptojë se Republika e Kosovës disponon një nga platformat kushtetuese, ligjore dhe institucionale të demokracive më të avancuara dhe jo vetëm në kontinentin evropian, edhe se pa asnjë drojë do të kuptohet e ardhmja e tyre e garantuar shumë më e mirë edhe se në shtetin e prejardhjes së tyre. Kjo nga njëra anë.
Në tjetrën, Kosova me vizionin e kryeministrit Kurti, frymëzuar nga modeli i zgjidhjes problemore bazuar në draftin kontekstual serbo-kroat, kësisoji siguron funksionalitetin e saj të plotë shtetëror dhe institucional si dhe ruajtjen dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, me shtrirjen e plotë jurisdiksionale, cep më cep të Kosovës. Këmbëngulja që të pranohet versioni i draftit të përgatitur nga pala kosovare, është jo vetëm garancë afatgjatësie, porse edhe mundësi, sepse një tillë vjen një herë në shumë vjet, për të mos thënë dekada apo shekuj.