Të na rruaç nga Kuçi o Edi!

0

Shkruan Armand Maho 

Në këto zgjedhje, Edi Rama nuk po investohet për të çuar Shqipërinë në BE. Nëse do të kishte dashur, kjo do të kishte ndodhur me kohë. Rama ka qenë njeriu që ka bllokuar ose ka tentuar të bllokojë sistematikisht procesin e integrimit. Kush e beson se Rama do të jetë njeriu që do të japë pasaportën e BE-së, të paktën është i sylesh.

Këto zgjedhje për Ramën janë për jetë a vdekje. Duket qartazi se, qoftë BE, qoftë SHBA, janë neveritur nga autokrati që arritjen më të madhe të tij e ka largimin e qytetarëve nga vendi. Në këto zgjedhje, Ramën e ka lënë në baltë edhe miku i tij Erdogan, i cili, pavarësisht metodave aspak demokratike që përdor në vendin e tij, duket se nuk ia fal kollaj lidhjet me Sorosin, ish-mikut të tij. Besoj e mbani mend se sa herë qurravitej Rama para disa vitesh, Erdoganin e kishte me shami në dorë. Tashmë edhe Erdogan, pavarësisht antikonformizmit të tij ndaj BE-së, e ka të qartë se nuk i duhet më një kufomë politike si ai.

Në këtë panoramë mjerimi për kryeministrin, s’ka asnjë dyshim se si aleatë të tij i kanë mbetur vetëm patronazhistët që i ka dhe të punësuarit në administratë, por edhe ndonjë votues sylesh, nostalgjik i mësuar me diktatura të gjata, që sheh te Edi Rama as më shumë e as më pak sesa të mishëruar figurën e një lideri autoritarist, të ngjashëm me qoftëlargun.

E parë në këtë këndvështrim, mund të kuptohet lehtësisht imazhi që po kërkohet të imponohet në publik për një fitore imagjinare të Ramës. Në një kohë kur s’i dalin llogaritë askund, nuk u mjaftua me sondazhet false, të paguara dhe të hartuara sipas mendjes së tij, nuk u mjaftua as me gjuhën denigruese apo thirrjet për të mos votuar, por në Kuç të Vlorës, nën ison labe dhe qëndrimin “gatitu” të dy apo tre militantëve të tij, firmosi “Memorandumin e Kuçit” një paçavure e  ngjashme me atë të vitit 2021, vetëm se këtë herë ka harruar se kë ka përballë.

Zgjedhjet e 11 majit janë kthyer në një sfidë, jo për Sali Berishën, as për opozitën në tërësi. Kjo është një luftë që po zhvillohet mes qytetarëve dhe Edi Ramës. Litari është ngrehur dhe shtrënguar në atë farë feje, me varfëri dhe padrejtësi  sa siç e thamë edhe më parë vetëm syleshët nostalgjikë nuk dinë ta shohin, ndonëse për ta ndjerë, e ndjejnë fort mirë  që ç’ke me të.

11 maji nuk është thjesht një ditë votimi. Ajo është, para së gjithash, një verdikt kundër të gjitha veseve dhe poshtërsive që solli Edi Rama me sektin e tij të rilindjes.

Prandaj shqiptarët duhet të japin një votë përmbytëse , aq përmbytëse sa Edi Ramën dhe shpurën e tij ta dërgojë atje ku e ka vendin. Edi Rama duhet bërë shembull për këdo që vjen pas tij. Mesazhi duhet të jetë i qartë: asnjë individ, politikan apo lider, të mos guxojë më të nëpërkëmbë popullin e tij, të cilin, pasi e ka vjedhur deri në rrasht, e përbuz, e pështyn dhe e përzë nga trojet e tij.

Po ashtu, është siç thotë vetë Rama: vota e 11 majit duhet të jetë ndarja përfundimtare nga e keqja për këtë vend, dhe kjo duhet të fillojë nga vetë ai. Fati i tij nuk duhet të jetë vetëm largimi nga politika.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu