Sterilizimi i pajisjeve mjekësore dhe Check Up pritet t’iu hapë telashe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që janë përfshirë në abuzime, duke shkelur ligji dhe shpërdorura paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pak ditë më parë gazeta “SOT”, deklaroi se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është e vendosur për të hetuar këto koncesion dhe nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë, ndërkohë që së fundmi burime brenda SPAK theksuan se hetimet për këto dy dosje të rëndësishme janë shtrirë përtej vitit 2019, kur dhe Nisma “Thurje”, ishte ajo që dërgoi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, duke ngritur kallëzim ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë koncesion. Sipas informacioneve, mësohet se SPAK ka shturë hetimet për koncesionet e Sterilizimit dhe Check Up deri në vitin 2015, më qëllim që të kopsitë dosjen dhe akuzat ndaj zyrtarëve e përfshirë në abuzime. Mësohet se SPAK përveçse ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë se Shëndetësisë që drejtohej asokohe nga Ilir Beqaj, Alfred Çarerit, por edhe disa punonjës së Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Mësohet se zyrtari me inicialet A. A është vënë në hetim nga Prokuroria Speciale, pasi në kohën kur janë dhënë koncesionet e Sterilizimit dhe Check Up ka qenë drejtor i madh në Ministrisë e Shëndetësisë dhe ka dijeni për abuzimet në këto tendera. Madje, mësohet se në kohën zoti Çareri mbante postin e sekretarit te përgjithshëm ne ministri personi në fjale ishte është ulur në detyrë nga Task Forca Anti-Korrupsioni i kryeministrisë për rimbursim fiktiv.
SPAK vë në hetim edhe FSDKSH
Por gazeta ka mësuar se për procedurat e dokumente false të dhënies së koncesionit të Sterilizimit, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka në hetim të veçantë përveç Ilir Beqajt dhe ish-sekretarit Çareri, edhe disa drejtorë aktualë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ish-drejtueseve të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor prej vitit 2015. Mësohet se më 1 tetor 2021, SPAK i ka dërguar Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), kërkesën zyrtare Nr. 7393 Prot., për informacion të plotë e të detajuar ekonomiko-financiar, lidhur me koncesionin e sterilizimit të seteve mjekësore në shërbimin kirurgjikal, trajtimin e mbetjeve biologjike pas operacionale dhe dezinfektimin e sallave të kirurgjisë”. Në shkresën e tij, SPAK i kërkon FSDKSH, dokumentet e zbatimit të këtij koncesioni, qysh nga data 10.12.2015 kur ish-ministri Ilir Beqja ka lidhur kontratën subjektet e interesuara. Mirëpo për shkak se po vazhdon mashtrimi dhe vjedhja me raportime volumesh e fatura false, SPAK ka vendosur ta fillojë hetimin nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), që është monitoruesi, pranuesi i bilanceve dhe paguesi i çeqeve te koncesionari.
Shkak janë indiciet që ka grupi i hetimit, për abuzime financiare, fatura e raporte volumesh fiktive, bërë nga Fondi Shëndetësor. Për këtë koncesion korruptiv, SPAK ka dhe një kallëzim penal të veçantë për ish-ministrin Ilir Beqaj, me akuzat për procedura, dokumente false dhe për vlerë fiktive të koncesionit, me kosto 8-10 herë më të lartë, se shërbimi që bëhet në spitalet e vendeve të Rajonit e BE.
Ja dosjet më të dhëna, që kërkon SPAK:
Raportet për volumin e kryer çdo muaj, që ka kryer koncesionari, në bazë të kategorisë së operacioneve që janë kryer në spitale; numrin e paketimeve të instrumenteve kirurgjikalë, materialet mjekësore të sterilizuara për çdo spital që ka marrë këtë shërbim.
Dosjen me kontroll-verifikimet, që Fondi i Kujdesit Shëndetësor, ka kryer lidhur me raportet e shërbimeve që ka dorëzuar koncesionari, dhe pranimin apo kundërshtimin e tyre prej tij.
Gjithë dokumentacionin e detajuar, për nëse Fondi i Kujdesit Shëndetësor, ka kundërshtuar raportet e volum-cilësisë së shërbimeve që ka dorëzuar koncesionari për efekt kryerje pagesash.
Të gjithë dokumentacionin e informacionit të çdo dite, në lidhje me shërbimet e përfituara, që Fondi i Kujdesit Shëndetësor i ka dërguar koncensionarit, si dhe formularët standard, që janë përdorur për plotësimin e informacionit ditor.
Të gjithë dokumentacionin e informacionit, me të cilin Fondi i Kujdesit Shëndetësor, njofton firmën koncesionare “SANISERVICE Shpk”, lidhur me shërbimet e përfituara, për dezinfektimin e zonave kirurgjikale dhe asgjësimin mbetjeve biologjike.
Gjithë mandat-pagesat mujore, që Fondi Shëndetësor i ka bërë koncensionarit, duke filluar nga muaji i parë i zbatimit të kontratës, deri në momentin që do dërgojë të dhënat në SPAK.
Në fund të shkresës, siç thuhet në dokument që gazeta “SOT” disponon, SPAK i kërkon Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, që për arsye afatesh hetimi të përshpejtuar, duhet të dorëzojë sa më shpejt të dhënat e kërkuara. Kështu që nisur nga kjo vendosmëri e Prokurorisë Speciale, gjasat janë që ky hetim, mund të zbulojë dhe “gropën e zezë” të korrupsionit e shpenzimeve të luksit zyrtar e qejfeve me fondet e ilaçeve, që e kanë çuar në faliment financiar miliona Euro Fondin e Kujdesit Shëndetësor. Kujtojmë që Sterilizimi i pajisjeve mjekësore është një nga koncesionet më të mëdha të qeverisë dhënë në kohën kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj. Ky koncesion ka kosto totale rreth 70 milionë euro për 10 vite dhe është një nga 4 koncesionet e dhëna në shëndetësi së bashku me check-up-in, dializën dhe laboratorët.



