SPAK kërkon arrestimin e tij, Ahmetaj reagon për herë të parë: Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë! Letrat e mia ishin në favor të interesit publik

0

Ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj ka reaguar për herë të parë pasi SPAK kërkoi autorizim nga Kuvendi për arrestimin e tij dhe kontrollin e shtëpisë. Në një mesazh për një emision televiziv, Ahmetaj ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij duke thënë se do të flasë vetëm kur të gjithë të kuptojnë se s’ka asnjë lidhje me procedurën.

Duke iu referuar detajeve të dosjes që ka dalë edhe në media që tregohet se biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto ka qenë fillimisht pronar i vilës në Hamallaj, ish-zv.kryeministri e mohon duke thënë se Zoto nuk e ka pasur asnjëherë në pronësi që t’ia falte atij apo bashkëjetueses.

“Do dal kur ju te lexoni dosjen. Do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pas njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohe ka qen njeri normal dhe në punët e veta. Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish gruaja ime ka shit metra katrorë në treg të lirë.

Do dal kur të kuptohet që bashkëjetusja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksion të pastër bankar një pronë. Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj pronë që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte. Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot.

Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë. Do dal kur ju te bëni pyetje te vërtete se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj. Do dal kur ta kuptoni që s’kam pas lidhje me proceduren. Atëherë do dal. Do dal kur t lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente ne aspektin e lobimit apo favorizimit, aq më tepër në opozitë”, shkroi Ahmetaj në mesazh për emisionin ‘Opinion’.

Ku ndodhet Ahmetaj?

SPAK po heton rolin e Ahmetajt në tre inceneratorët e Elbasanit, Fiierit dhe Tiranës.

Sipas Zërit të Amerikës Ahmetaj u largua nga Shqipëria pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit për ti hapur rrugë arrestimit të tij. Kërkesa mbante datën 7 korrik 2023 ndërsa kryetarja e Kuvendit deklaroi se ajo ishte dorëzuar më 10 korrik. Ndërkohë që në 2 mbledhjet e këshillit të mandateve (11 – 12 korrik) Ahmetaj u përfaqësua nga avokatët të cilët pranuan se klienti i tyre nuk ndodhej në Shqipëri. se ishte jashtë për arsye familjare dhe se nuk kishte pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë para Kuvendi.

Po sipas Zërit të Amerikës, Ahmetaj është larguar nga pika kufitare e Kakavijës. kishte blerë online një bilete avioni për në Itali por nuk e ka përdorur atë. VOA por jo vetëm, edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi kanë hedhur gjithashtu hipotezën se nga verifikimet e sinjalit të celularit të ish ministrit të Financave, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.

Nesër vendoset për arrestimin
PD e PS ranë dakord që seanca e posaçme për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj të mbahet të premten në orën 10:00.

Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Bëhet fjalë për 400 faqe dosje ku krahas Ahmetajt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë.

Telefoni i ish bashkëshortes së Ahmetajt, ka qenë prova ‘bingo’ për prokurorët pasi në atë telefon janë zbërthyer mijëra mesazhe dhe telefonata që janë bërë dhe që prokuroria mbështet akuzat për të. Rezulton se nga data 21 korrik 2012 deri ne 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj ka patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazh mes Ahmetaj dhe Mertirit.

Në kërkesën që SPAK ka dorëzuar në Kuvend argumenton pse kërkon ti hapet rruga për arrestimin e deputetit Ahmetaj, renditen veprimet për të cilat akuzohet ai kur ka pasur funksionet si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipërmarrjes e më pas si ministër i Financave, për t’i mundësuar biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu