“Pasuritë e çmendura” të Yuri Kim dhe “hallet” e ambasadorit të ri

0

Shkruan Sokol Pepushaj

“Engjëll dukej, gjarpër doli, vetëm t’zeza Kimi solli”…

Ikja e Yuri Kim solli dyshime dha akuza. Ne këtej e dimë, se sa më shumë akuza të kesh, më mirë të bëjnë. Gjithë qeveritarët të akuzuar janë, por nuk e kanë problem, aty rrinë.

Largimi i ambasadores para se të vijë zevendësuesi, në fshatin tonë, më shumë se çudi, vlerësohet skamni, si me thënë, shterpësi në pritshmërirë për drejtësi, pasi është vizatuar perceptimi, se të gjithë vjedhin, ose ikën një hajdut e vjen një tjetër.

Na iku Dimri pa ardhë pranvera, shpërndahet e merr krahë lajmi.

Në fakt kanë të drejtë. Peisazhi diplomatik, edhe pse është më i pastër se kurrë, po mbulohet me tis nga të gjithë, me qeveri, opozitë, drejtësi dhe media, se ashtu ju intereson, e kundërta.

Kështu e kanë kaluar “lumin” për 32 vjet këta.

Me diversitete falso, politika konfliktuale dhe “zjarre” me flakë kashte, kanë ngrohur dhe ftohur jo vetëm fshatarët, por edhe premtimet para ndërkombëtarëve.

Kështu po vazhdojnë edhe këto ditë.

Pasi përcollën Presidentin amerikan Bill Clinton dhe nuk gjejnë dot “stuko” të tjera për maskat e grisura antiamerikane, i kanë dhënë vetes start në çdo lloj sacrifice, vetëm të mbahet pushteti nga kjo mafie që ka infektuar aq larg, sa po të preket, mund të qelbet edhe dynjaja që mbahet model dhe e kristaltë.

Pse po vonohet aksioni anti-mafie?

Arsyet janë jo dhe aq të komplikuara, sa e bëjnë anarshistët.

Ambasadori i ri David J. Kostelancik, megjithëse e di shqipen që kur 4 Klanet Mafioze, i nxirrnin sytë njëri- tjetrit për një byrek, më keq se sot për një million dollarë, ende nuk ka dalë të bëjë apelin në rrugën e ngushtë, ku nuk shpëton as edhe një hajdut, e ka shpjegimin tek “pasuritë e çmendura” që ambasadorja Yuri Kim mori me vete kur u largua.

Nëpër këto ngushtica, vajtimet në notën “Si” të Sali Berishës dhe Ilir Metës për abuzim dhe afera korruptive, dhe “meloditë” e dashurisë së Bablokut në Do-Re-Mi-Dooo, për “Bletën” që shëtiti lule më lule nëpër fshatin ku gomarët dhe delet kanë tharë barin në Tropojë e shterruar krojet në Lukovë, janë tashmë akorde në pentagramin e Shtëpisë së Bardhë dhe Urdhërit Ekzekutiv të Presidenti Joe Biden, për luftën kundër krimit të organizuar shtetëror në Ballkan.

Ambasadorja Kim i ka lënë pa mend të gjithë.

Në tre vite e gjysmë, flitet gjithandej se ka grumbulluar gjithë nektarin e fshatit, ka përpunuar informacionin dhe fotografuar kriminelë e hajdutë. Disave, atyre që u zgjon emocione Gjergj Fishta kur “mjelë” gjinjtë e trandafilit, u ngjan se edhe ambasadorja Yuri ka “mjelur” edhe zogjt e maleve, edhe Dallaendyshet e Parajsave Fiskale e deri Gomaricat e çdo zyre shteti, sa sëmundja serioze “sa më shumë vjedh më i nderuar je”, dhe viroza e mos ndëshkueshmërisë, ngjan se nuk jetojnë më gjatë në trupin e shoqërisë që pret të shërohet, fillimisht me “Qumësht Gomarice”.

Krijuesit e Bablokut po bëjnë provat për një tallava që pritet të prezantohet pas hapjes së procesit penal të dosjes McGonigal me titull: “Engjëll dukej, gjarpër doli, vetëm t’zeza Kimetja solli”.

Të gjithë janë si njëri si tjetri, të pasur, fudullë, hajdutë, kriminelë dhe antiamerikanë.

Ish kryeministrit më “gjytyrym”, Pandeli Majkos, që vetëm me 5 milion dollarë në bankën e Qipros greke është kapur, nisi t’i dhëmbë dhmballa pse “qumështi” i Gomarivave po deh socialistët dhe po krijohet një grup parlamentar dhe një qeveri në burg. Pandi, edhe pse merhum, e kupton se po bëhen “studimet” dhe shpejt do të shohim spektakël ku kafshët e korrupsionit do shkelin njëri-tjetrin nga tmerri. U ngjan fyerje t’i vesh në radhë për “Qumësht”, ndërkohë që përdorin pijet e markave më famoze të Botës.

Është recetë e njohur në fshat kjo.

Ta themi pra, të vetmet pasuri që mori ambasadorja që ka duruar me elegancë edhe ngutjen tonë për shëndoshje si në Kroaci, janë esencat që po vonojnë paksa fillimin e punës së ambasadorit të ri, pasi nuk na pëlqen të themi, se ai ka qënë këtu që i ri e na njeh mirë të gjithëve.

Nëse do kemi pranga nga të pushtetit, mos u nervozoni, është ilaçi me “Qumësht  Gomarice” që lë pa mënd e pa frymë edhe ata që kanë radhën për “Qumësht Dallandysheje”.

E shihni si struken Genc Pollo, Ilir Beqaj, Fatmir Mediu, Olsi e Shkëlzeni, të gjithë non-gratat që pritet të gradohen me sanksione ekonomike, e deri tek Sheikët e rinj që ende nuk u kanë mbirë qimet në fytyrë.

Ne që shkruanim si sot, aso kohe kur milionerët ishin lolot e vagabondit qesharak të fshatit, edhe pse nuk u bëmë as me tituj shkencorë, as me miliona dollarë, ndihemi rehat kur japim lajmin bio; Prisni drejtësi, ilaçet me “qumësht” çudibërës po përpunohen diku, mos u besoni hajdutëve që lëshojnë akuza për çdo ambassador vetëm të shtyjnë transparencën e pasurive të veta. Ne sot ju japin lajmin e mirë mbi pasuritë e “çmendura” të Yuri Kim dhe “hallet” e ambasadorit të ri./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu