Shkruan Zef Ndreka
– Në vend të një strategjie zhvillimi, Mirdita u përball prej kohësh me emigracion masiv, me plakje të popullsisë dhe tkurrje të vazhdueshme ekonomike. Kjo është drama e vërtetë e krahinës, shumë më e madhe se çdo debat për kufijtë administrativë.
Debati i ditëve të fundit mbi mundësinë e ndryshimeve në organizimin territorial dhe përfshirjen e Bashkisë së Mirditës, ka nxitur reagime të forta politike, veçanërisht nga përfaqësues të Partisë Demokratike. Megjithatë, krijohet përshtypja se shqetësimi i tyre nuk lidhet aq me fatin e Mirditës, sa me ruajtjen e një prej pak bashkive që kjo forcë politike administron ende.
Po të kishte ekzistuar një kujdes i vazhdueshëm për Mirditën, ai do të ishte reflektuar ndër vite në zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e pasurive natyrore, krijimin e vendeve të punës dhe ndalimin e shpopullimit. Fatkeqësisht, realiteti ka qenë krejt tjetër.
Mirdita, dikur një nga zonat më të rëndësishme minerare dhe industriale të Shqipërisë, pësoi një goditje të rëndë me mbylljen e minierave, uzinave të përpunimit dhe objekteve industriale që për dekada kishin mbajtur gjallë ekonominë e saj. Mijëra familje humbën burimin e jetesës dhe u detyruan të largohen. Pasuritë minerare, ujore dhe pyjore shpesh janë administruar pa sjellë përfitime të qëndrueshme për komunitetin vendas.
Në vend të një strategjie zhvillimi, Mirdita u përball me emigracion masiv, plakje të popullsisë dhe tkurrje të vazhdueshme ekonomike. Kjo është drama e vërtetë e krahinës, shumë më e madhe se çdo debat për kufijtë administrativë.
Prandaj, ata që sot flasin në emër të Mirditës, duhet së pari të bëjnë një bilanc të rolit që kanë pasur në qeverisjen e saj dhe të vendit. Është e vështirë të bindësh qytetarët se je mbrojtësi i një krahine, kur për vite me radhë nuk ke arritur të ndalosh rrënimin ekonomik dhe shpopullimin e saj.
Kjo nuk do të thotë se çdo reformë territoriale duhet pranuar pa debat. Përkundrazi, çdo ndryshim duhet të mbështetet në studime serioze, konsultim me banorët dhe analiza të ndikimit ekonomik, administrativ e social. Mirdita duke patur në shekuj identitet të fortë historik, kulturor dhe institucional, çdo vendimmarrje për të duhet të trajtohet me kujdes, me përgjegjësi dhe me respekt. Dhe jam i bindur se nuk do të shihet si një njësi administrative apo një territor elektoral. Ajo është një krahinë me histori të jashtëzakonshme, me kontribut të rëndësishëm në identitetin kombëtar shqiptar dhe me një trashëgimi që nis që nga fillesat e shtetit të Arbërit, me Gëziqin si një nga qendrat historike më të rëndësishme.
Nqs politika e ka vërtet për zemër Mirditën, atëherë debati nuk duhet të kufizohet te ruajtja e një bashkie apo e disa mandateve. Debati duhet të jetë si të rikthehen investimet, si të hapen vende pune, si të rikthehen të rinjtë, si të shfrytëzohen pasuritë natyrore në dobi të banorëve dhe si të ndalet zbrazja e një krahine që ka dhënë aq shumë për Shqipërinë.
Mirdita nuk ka nevojë deklarata alarmiste nga asnjëri krah i politikës, për më tepër nga PD-ja. Ajo meriton së pari vizion, zhvillim dhe përgjegjësi politike nga të gjithë, pa përjashtim.



