Shkruan Zef Ndreka
Rasti i Erion Veliajt ka kohë që ka dalë përtej kufijve të një çështjeje të zakonshme penale. Sot ai është kthyer në një provë serioze për drejtësinë shqiptare, por edhe për vetë funksionimin institucional të kryeqytetii.
Një kryetar bashkie, kur qëndron për një periudhë kaq të gjatë në masën e arrestit me burg, ndërkohë që hetimet dhe proceset gjyqësore vazhdojnë, njerzit me të drejtë pyesin:
Veliaj është fajtor apo i pafajshëm?!
Por këtë nuk e vendos as politika, as media, as rrjetet sociale. E vendos vetëm një gjykatë, mbi bazën e provave dhe ligjit.
Por ekziston edhe një pyetje tjetër:
A është ende e justifikueshme dhe proporcionale masa e arrestit me burg pas një periudhe kaq të gjatë?
Kjo është pikërisht çështja që duhet të shqyrtohet me qetësi nga gjykata, aspak nën presionin e mazhorancës, të opozitës, të SPAK-ut, të mediave apo të opinionit publik.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar rishqyrtimin e kërkesës lidhur me masën e sigurimit, kështu që vendimi i radhës i Gjykatës së Lartë do të jetë veçanërisht i rëndësishëm. Tre gjyqtarët që do të përballen me këtë çështje nuk kanë përpara vetëm një dosje konkrete, por kanë përpara një test të rëndësishëm për besueshmërinë e drejtësisë.
Drejtësia nuk duhet të jetë as hakmarrje politike, as mburojë politike.
Nëse ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e arrestit në burg, ato duhet të argumentohen qartë. Nëse këto kushte nuk ekzistojnë më, atëherë duhet të gjendet një masë tjetër sigurie, më e përshtatshme dhe proporcionale me rrethanat e reja.
Kjo është një çështje themelore e shtetit të së drejtës, ku masa e sigurimit nuk mund të kthehet në një dënim paraprak.
Por në anën tjetër është edhe Tirana.
Kryeqyteti nuk mund të mbetet peng i fatit juridik të një individi, kushdo qoftë ai. Bashkia është institucion publik dhe qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kenë një drejtim funksional, përgjegjësi të qarta dhe një zinxhir normal vendimmarrjeje.
Prandaj zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës, përfshirë largimin e nënkryetares dhe situatën e krijuar në drejtimin e institucionit, janë shqetësuese jo sepse duhet të përdoren si argument për të liruar apo mbajtur në burg Veliajn, por sepse tregojnë një problem më të madh, që një institucion publik nuk mund të funksionojë në vakum politik dhe administrativ.
Kur kryetari është fizikisht i pamundur të ushtrojë funksionin e tij për shkak të masës së sigurimit, atëherë duhet të ekzistojnë mekanizma të qartë institucionalë që garantojnë vazhdimësinë e qeverisjes vendore. Përndryshe, kostoja nuk i shkon vetëm Veliajt. I shkon qytetarëve të Tiranës.
Nuk mund të themi se Veliaj është arrestuar pa akuzë, sepse ndaj tij ekziston një procedim penal dhe akuza të ngritura nga prokuroria. Ashtu sikurse kohëzgjatja e tij në burg dhe hetim, nuk e bën atë automatikisht fajtor.
Arresti nuk është dënim dhe akuzat nuk janë asnjëherë prova.
Në të njëjtën kohë, drejtësia duhet të jetë në gjendje të shpjegojë publikisht, brenda kufijve që lejon ligji, pse një masë kaq e rëndë vazhdon të konsiderohet e domosdoshme dhe çfarë e pengon përdorimin e masave alternative, nëse kushtet për to janë krijuar.
Sepse edhe drejtësia duhet të japë llogari për mënyrën se si ushtron pushtetin e saj.
15 shtatori, nëse Gjykata e Lartë do të shqyrtojë pikërisht këtë çështje, nuk duhet parë si një betejë mes “Veliajt” dhe “drejtësisë”. Duhet parë si një provë për parimin më të rëndësishëm, që a funksionon shteti i së drejtës njësoj për pushtetin, opozitën dhe qytetarin e zakonshëm?
Dhe njëkohësisht, politika shqiptare duhet të bëjë një hap pas.
As mazhoranca nuk duhet ta përdorë çështjen për të mbrojtur një figurë politike, as opozita për ta shpallur atë të dënuar para gjykimit.
Në fund të fundit, mund të ndodhë që Veliaj të shpallet fajtor. Mund të ndodhë edhe që të shpallet i pafajshëm. Por të dyja duhet të dalin nga një proces i rregullt gjyqësor, jo nga presioni politik.
Ndërkohë, Tirana duhet të qeveriset.
Një qytet me qindra mijëra banorë nuk mund të mbahet peng i një krize juridike, politike apo personale.
Kjo është arsyeja pse çështja Veliaj nuk është më vetëm çështja e Erion Veliajt.
Është njëkohësisht çështje e drejtësisë, e Bashkisë së Tiranës, e përgjegjësisë politike dhe mbi të gjitha, e qytetarëve të kryeqytetit.
Pyetja tjetër që bëj për këtë rast:
A do të dijë shteti shqiptar të garantojë njëkohësisht drejtësinë përballë një të akuzuari dhe funksionimin normal të një institucioni që u përket qytetarëve?



