Mafiozët janë bashkë, nuk e godasin “kundërshtarin” atje ku dhëmb…

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Dera e burgut është e hapur. Edhe rruga për në qeli po ashtu. Po pse ende është bosh edhe burgu edhe udha?

Sepse Mafia rri e fshehu, anës rrugës, tek porta, politika, drejtësia, opozita, presidenca, diplomacia.

Ti shoku do të shkosh në burg vetëm po të zuri Yuri Kim, i shkruajnë secili secilit. Nuk tremben fare ‘non grata’-t, kriminelët, ministrat, zyrtarët, nuk i hap që nuk i hap “sytë” Altin Dumani, pa ja afruar “gishtin” tek “vetullat” ambasadorja.

Mafia është “granit”. Ligji nuk e gërvisht dot, se është aq i ligështuar sa merr formën e dollarit, eurove, pronave, drogërave, interesave, bëhet edhe flamur partie.

Kush lakmon pronën e tjetrit, e bën të veten, kush ka një dosje të trashë për korrupsion apo krime, e mbyll:  “shfryn” pak portofolin e vet dhe “fryn” atë të prokurorit, gjykatësit dhe avokatit. Kështu funksionon! Që të jesh mirë me letrat, avokati do të kalojë disa seanca me të ngjitura e të zbritura, sikur derdh djersë në procesin e blerë.

Po të pushtetshmit a kanë dobësi?!

Pse të kenë dobësi; Berisha ka kapur “armët” e veta dhe Rama të tijat e “qëllojnë” njëri tjetrin atje ku asnjërit nuk i dhëmb.

Saliu, nuk sulmon llogoret ku rrinë burrat e fuqishëm. Nuk janë armët e tij dosjet e korrupsionit dhe krimit. “Predhat” kundër Edi Ramës i shkarkon mbi gratë e politikës, do me thënë, andej ku nuk ja ndjen fare Bablokut.

Me video erotike në xhep është bërë Gogoli i çdo femre zyrtare a diplomate. Të gjithë i vënë gishtin kokës, se ku mund ta kenë shkrepur blitzin hackeri iranian i Saliut? Pastaj, kur i thërrasin me zë më të lartë logjikës, ka apo nuk ka video Saliu, u rezulton po aq e mundur apo e pamundur, sa të kesh dilemë, ka apo nuk ka dosje korrupsioni Babloku?!

Si Edi, si Saliu, besojnë në çdo mëkat të mundshëm dhe ngulin “bajrakun” në territor të huaj

Për dosjet e korrupsionit duhet të dalë SPAK-u, e të kapë “Peshk”. Aq i pagabueshëm do ishte, sa edhe sikur të bëjë një apel të zyrtarëve në 32 vite, nuk gabon. Kushdo ka qëndruar më shumë se një vit në një zyrë pse të mos merret në një intervistë, sa për formalitet?!

Ky formalitet tmerron Mafien, prandaj Berisha tund deklaratat me kaseta erotike.

E di mirë doktori, se  Gogoli që tmerron femrat janë videot erotike. Sapo deklaroi se ka të tilla, femrat e politikës nisën ‘kakarisjen’ si pulat kur fluturon Huti mbi kotec.

Me videot erotike po luhet edhe në facebook, instagram, tik-tok, sa çunat e ri, e kanë bërë “biznes”.

Po Saliu ç’kërkon?!

Biznes politik bën edhe ky.

Të gjithë, vajzat e bukura që nuk kanë një ditë pune, politikanët, zyrtarët, prokurorët, gjykatësit që rrogat i kanë për faqe të zezë, bëjnë jetë luksi e vishen me rroba firmato, janë një substancë, një “skuadër” që Babloku e ka pagëzuar “kap ç’të kapësh”.

Sa kohë janë të pasur ata që nuk kanë të ardhura, mafiozët janë bashkë, nuk e godasin “kundërshtarin” atje ku dhëmb…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu