Krimi i dyfishtë i Ramës me Irfanin

0

Shkruan Andi Bushati

Vendimi kontrovers për ti futur ruspat njërës prej pasurive më të mëdha të pronarit të News 24, Balkanweb dhe Panorama, ashtu sikurse ndodh rëndom, e ka ndarë opinionin në dysh. Nga njëra anë janë ata që mendojnë se ky është një hap më tepër në rrugën e degradimit të një regjimi autoritar drejt një diktature personale. Sipas tyre gjithçka është ka të bëjë me tentativën e Edi Ramës për të shantazhuar disa media që i kanë dalë tani vonë nga rrjeshti.

Të tjerët, më moskokëçarës, e mbyllin me shprehjen: ‘Kokat hëngërshin”. Në optikën e tyre, Hysenbelliu, nuk është një viktimë, ai po korr atë që ka mbjellë prej vitesh. Atij thjeshtë po i marrin diçka që e kish fituar pa të drejtë, si rezultat i favoreve që i pati bërë pushtetit. Sipas tyre, Rama i dha lejen për “Prestige resort” Irfanit, atëherë kur ai i shërbente dhe po i’a shemb tani që nuk janë më bashkë.

Për të mbështetur këtë tezë, këta të fundit, përmendin serviset që mediat e Focus Grup i kanë bërë Erion Veliajt dhe Taulant Ballës duke konkluduar se në këtë përplasje, s’ka rëndësi se cili është fajtori, pasi askush nuk është në krahun e interesit publik.

Fakti është se në të dyja qasjet ka aq pafundësisht të vërteta, sa duket sikur në këtë histori vështirë të gjesh krimin fillestar apo mëkatërin më të madh. Aq e koklavitur është fabula, mes pronarit mediatik, oligark dhe kryeministrit që bashkëjeton me të, sa ajo po i shkon për shtat edhe vetë Edi Ramës.

Gjithnjë e më shumë, shefi i rilindjes po tenton ta paraqësë veten si një politikan që gjendet nën trysninë dhe shantazhin e bosëve të fuqishëm të mediave, të cilët kërkojnë favore duke përdorur peshën e pushtetit të katërt. Ai aludoi hapur për këtë, pasi Top Channel emetoi disa lajme kritike ndaj punës së qeverisë. Madje të njëjtin justifikim e ka elaboruar gjatë edhe në një takim të tensionuar që pati disa ditë më parë, me shtatë organizatat më të mëdha ndërkombëtare për lirinë e shtypit. Duke dashur të shpjegojë arsyet se përse Shqipëria është rrokullisur kaq poshtë në lirinë e mediave, kryeministri këmbënguli me kokfortësi për ti vënë fajin pronarëve dhe trysnisë që ata ushtrojnë mbi vartësit e tyre.

Kjo tendencë u pasqyrua edhe në deklaratën finale që delegacioni i 7 organizatave partnere të platformës së Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve lëshoi në fund të misionit faktmbledhës. Madje ndonjë gazetar i kapur rishtaz nga pushteti, që shkruan për publikun e huaj, e vuri theksin pikërisht tek etiketimi i pronarëve si e keqja e vetme e sistemit tonë mediatik.

Le të jemi të drejtë. Në këtë histori nuk ka ëngjëj. Sot pjesa më e madhe e mediave tona i është larguar misionit të vet dhe para informimit, ka si objektiv pasurimin. Edhe Irfani edhe Vjollca edhe Sandri edhe Ylli, apo shumë të tjerë pas tyre, ndjekin të njëjtin model që është në kahun e kundërt të interesit publik. Ai që pohon këtë ka 100% të drejtë. Por ama kur, po i njëjti, e përfundon këtu arsyetimin e vet, ose është naiv, ose është mashtrues. Sepse e vërteta e plotë është më e thellë.

Askush nga ata që e ka përbaltur misionin e medias që drejton nuk e ka bërë pa korruptimin, favoret, lejet e ndërtimit apo paratë e inceneratorëve që ka shpërndarë pushteti. Në këmbim të heshtjes për mëkatet e qeverisë, ata janë shpërblyer me thela nga pasuritë publike. Nuk ekziston sot asnjë vend në botë, ku qeveria të jetë e pastër dhe e ndershme, drejtësia funksionale dhe mediat të shitura. Sa më shumë erë të vijë peshku, aq më e qelbur është koka.

Prandaj, Rama thjesht manipulon kur do ta veçojë përgjegjësinë e tij nga degradimi i pandalshëm i sistemit mediatik. Pronarët janë bashkëpuntorë në krim, por asnjëherë arkitektët e tij.

Nga ky këndvështrim duhet parë edhe përplasja e fundit me fadroma. Ata që thonë thjeshtë: “kokat hëngërshin”, pa shkuar më tej, vetëm sa relativizojnë të keqen.

Duke vënë në të njëjtën shkallë si Ramën, po ashtu dhe Irfanin apo Vjollcën, mediat e të cilave kanë vendosur ta kritikojnë sot, ata punojnë për jetëgjatësinë e të njëjtit sistem.

Qasja më e drejtë do të qe një tjetër, ti kërkojmë llogarinë kryesore atij të cilin e kemi zgjedhur për të menaxhuar pasuritë tona dhe jo atij që e shmangim me një sustë të telekomandës. Të mos e lëmë fajin kopil mes Edit dhe Fanes, por të përqëndrohemi te leja e dyshimtë që kryeministri dha për “Prestigj resort”, në 2016 dhe tek anullimi edhe më abuziv që i bëri asaj gjashtë vite më pas.

Vetëm duke e parë si një mëkat që duhet denoncuar në mënyrë të dyfishtë – si kur dhuron për të joshur, po ashtu si kur shkatëron për të shantazhuar – ne mund të shpëtojmë edhe nga sistemi abuziv mediatik që ka ndërtuar Rama edhe nga përfituesit anësorë të tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu