Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se SHBA kanë mirëpritur atë që cilësuan “raport të paanshëm” të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës.
Kim shprehet se tashmë priten hapa konkretë për të vënë përgjegjësit para drejtësisë, “për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri.”
Sipas asaj që shprehet kryediplomatja amerikane, hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA.
“Po ashtu, hapa të tillë e bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE”, shkruan Kim.
Postimi i plotë
“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe në Shqipëri.
Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE”, shkruan Kim.



