Gazetarit Tonin Frroku, atij që pati një ëndërr të madhe, së cilës i blatoi shpirtin e tij prej pasioni

0

Shkruan Albert Vataj

Mes Shkodrës ku u lind, dhe Korçës që e mëkoi me dashuri dhe e shpërbleu me familje, Tonin Frroku qëndroi si ai trupi që i kridhej shpirtit dhe rendte pas thirrjeve të zemrës, për të mbetur brenda tij, ai, ai urëbashkim i dy skajeve, ku lartësoi veprën e përkushtimit, mbrujtur në ëndërr, gazetarin.
Ëndrra është vendi ku ne strehojmë dëshirat dhe pritshmëritë, është ajo skrofulla ku fshehim sekretet e zemrës dhe drithërimat e shpirtit, ai prehri i ngrohtë ku me tharm imagjinatash e kurajë çmendurish, mbrujmë altaret e atij besimi që ngremë me mundim dhe lutje.
Prej aty, aty ku ngjizet vetja me tërësinë e gjendjeve dhe përjetimeve, të rrjedhin si një përrua i mbarsur nga stuhia, pa pengime të gjithfarshme e ndalime frike, duke rrugëtuar drejt caqeve të realitetit, për tu bërë udha e cila mban të plazmuar gjurmë sakrificash që i blatojmë atij besimi.
Edhe ai, Tonin Frroku, pati një ëndërr, dhe e mbajti në jetë atë, atëherë kur asgjë nuk ishte e mundur dhe gjithçka ishte e ndaluar, madje edhe të ëndërroje. Por ai i besoi ëndrrës më fuqishëm se çdo realiteti që pikëniste nga kjo energji, potenciali i së cilës shndërroi çdo sfidë në cak, çdo arritje në shtytjen e së mundshmes, gjithnjë e më kurajshëm, deri këtu. Këtu në këtë ditë vlerësimi dhe mirënjohjeje, e ku tjetër veçse në Shkodër, në qytetin ku hapat e tij të ndrojtur por të vendosur, guxuan të ecin gjithnjë e më me vetëbesim.
Unioni i Gazetareve të Qarkut Shkodër, gazetarin Tonin Frroku e ka nderuar me Çmimin e Karrierës, “Hamit Boriçi”, me motivacionin: “Gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjerë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës, ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme, mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen, duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior”
Rrugëtimi katërdekadësh i Tonin Frrokut në media, nga ato radiofonike, gazetari e shkruar, deri tek ballafaqimi televiziv, është i larmishëm, siç ishte dhe vijon të jetë zjarrmëtar pasioni dhe përkushtimi, për të dhënë më të shtrenjtën këtij profesioni fisnik, këtij vlërësimi të fisnikëruar në adhurim. Hapat e parë do të nisnin në Radio “Shkodra”, aty ku Tonini rishtar i një doktrine të ngadhënjyer në sublimitet, mëtoi gjunjëzimet e para të lartësimit në besim të shenjuar dhe shenjtëruar në ëndërr, për të vijuar për një kohë relativisht sfiduese në RTSH “Korça”, dhe konsoliduar në “TvSot7”, dhe mëkuar pasionues në “Sport Ekspres”, sfiduar me profesionalizëm dhe një zell sakrifikues në “Vizion Plus”, duke treguar klas dhe shpirt gare konkurrimi në “Shekulli”, etj.
Emri, zëri, pena dhe imazhi i gazetarit Tonin Frroku, do të bëheshin me kohën emblematikë të gazetarisë së terrenit, por edhe ndershmërisë së përkushtimit, pasionit të pashuar për të qenë gjithnjë aty ku është lajmi, pa u ankuar dhe kërkuar kurrë përfitime dhe privilegje, e pse jo, edhe duke u pajtuar me honorare denigruese dhe pagesa të prapambetura. E bëri këtë sepse e deshi profesonin dhe u pajtuar me çdo sakrificë që rrjedhonte kësisoj, duke dëshmuar gazetarin zelltar në kryerjen e detyrës dhe nënshtruar ligjësive fataliste të realiteteve, nëpër të cilat kaloi dhe rënd, sot e mot media, fjala e lirë, informimi. Ai nuk pranoi të braktiste realitetin, terrenin, vendngjarjen, të kudondodhurën dhe gjithëgjendshmen ku u mbrujt dhe prej nga do të raportonte, përkundër çdo vështirësie dhe sfide, me të cilën u ndesh dhe triumfoi. Gazetaria për të ishte dhe mbeti gjithçka dhe terreni vijon të jetë forca e tij prej Anteu.
Ndoshta unë jam nga të paktët që e njeh më mirë Tonin Frrokun gazetar, natyrisht veç kolegëve, me të cilet ai bashkëndan kacafytjen e çdoditshme për lajmin, për të vërtetën, duke i dhënë shpirt ngadhënjyes pasionit.
Vëmendja ime filluese fokusohej asokohe, kur me Toninin më lidhte adhurimi i një njeriu të shtrenjtë, nip-daj, por edhe të një miku, pazgjidhshmërisht dhe të një vlerësimi për Tonin Frrokun, djaloshin vital dhe shpirtin e etur për kureshti sfidash dhe mundësish, për atë që ka guxuar më shumë se ka mundur, për atë që hoqi shumë dhe bëri shumë, për të rrëmbyer me thonj e me dhëmbë atë që fati kishte përcaktuar se i përkiste atij.
Bashkë ndamë shumë emocione të profesionit, të cilat me vitet i bëmë pjesë të jetës. Pavarësisht se nuk kisha asgjë që më lidhte me sportin, kontribut ku më së shumti Tonin Frroku raportoi, e përcillja si vëmendje mëtuese, si ajo yshtja që do të më ngaste edhe mua në një botë magjike, në atë të gatimit të shpirtit dhe farkëtimit të fjalës.
Për të ardhur deri këtu, këtu që Tonini nuk e pati aspak të lehtë. Ju desh të sfidonte i vetëm kundër të gjithëve dhe shumëçkaje, të luftonte me shpirt dhe pasion për të rendur nëpër një terren gjithnjë e më ashpër, për tu ndeshur me një larmi pengimesh e hakërrishë dhe për të fituar. Për të fituar, jo vetëm një Certifikatë Mirënjohjeje, një copë karton të korrnizuar, apo një sulm të fuqishëm emocionesh dhe urimesh. Tek Tonin Frroku gazetar fitoi pasioni, fitoi ëndrra, fitoi ai shpirt i paepur sakrificash, fitoi profesioni që ai e deshi dhe e mëkoi me zemër të ndezur në dëshirë dhe përgjegjshmëri, gjithmonë me të njëjtën forcë. Po, fitoi ajo vepër e mundimshme angazhimi e çdoditshme dhe çdoorshme, fituan gjithë ato sakrifica, përpjekje dhe ngulmime që vetëm shpirti i tij mund ti peshojë. Pati matshmërie që e monitoroi atë ngadhënjim prej Sizifi. Ishte ajo bujari e përkorë prej mirënjohjeje që shpërbleu me konsideratë këto katërdhjetë vitesh sfidë të Tonin Frrokut për të qenë dhe për të mbetur gazetar.

(Në foto: Tonin Frroku me të birin, Mateusin, në ditën e vlerësimit me Çmimin e Karrierës, “Hamit Boriçi” nga Unioni i Gazetareve të Qarkut Shkodër)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu