Projekti i Sam Altman për ID digjitale “World” ka nisur në SHBA, duke sjellë teknologjinë kontroverse të skanimit të irisit dhe kriptomonedhës në vend, ndërsa administrata e Donald Trump përqafon sektorin e aseteve digjitale.
Grupi synon ta bëjë SHBA-në tregun e tij kryesor pasi produkti u lançua fillimisht jashtë vendit në vitin 2023, pjesërisht për shkak të qasjes më armiqësore të administratës së Joe Biden ndaj kriptos. Altman, i cili është gjithashtu drejtor ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale me vlerë 300 miliardë dollarë, OpenAI, shprehu keqardhjen asokohe duke thënë se ndërmarrja e tij, e cila së fundmi u riemërua nga “Worldcoin” në “World”, ishte “Bota pa monedhën amerikane”.
Që prej atëherë, Trump është zotuar ta bëjë Amerikën “kryeqytetin e kriptomonedhave në planet”.
Duke shpallur lançimin në SHBA gjatë një eventi në San Francisko të mërkurën në mbrëmje, Altman tha:
“Jam shumë krenar që jam amerikan. Mendoj se Amerika duhet të udhëheqë inovacionin, jo ta luftojë atë.”
Ai shtoi se teknologjia e ‘World’ ishte “një mënyrë për të siguruar që njerëzit të mbeten qendra dhe të veçantë në një botë ku interneti është plot me përmbajtje të gjeneruar nga AI”.
“Ka pasur arsye shumë të mira pse u përqendruam fillimisht në ta bërë produktin të funksionojë në të gjithë botën para se të vinim në Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre lidhen me ndryshimet rregullatore,” tha Adrian Ludwig, arkitekti kryesor në Tools for Humanity, zhvilluesi kryesor pas projektit ‘World’.
Altman dhe Alex Blania themeluan Tools for Humanity në vitin 2019. Deri më tani, ajo ka mbledhur rreth 200 milionë dollarë nga investitorë të njohur si Andreessen Horowitz, Khosla Ventures, bashkëthemeluesi i LinkedIn Reid Hoffman, si dhe themeluesi i FTX, Sam Bankman-Fried, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burg për mashtrim.
Altman dhe Blania argumentojnë se një metodë e besueshme për të dalluar njerëzit nga kompjuterët është thelbësore, ndërsa AI po bëhet gjithnjë e më i avancuar.
“World” prodhon pajisje sferike për skanimin e syrit të quajtura “orbs”, të cilat gjenerojnë ID unike që mund të përdoren për të aksesuar tokenin Worldcoin. Pajisjet janë afërsisht të madhësisë së një topi basketbolli, por World po punon për modele më të vogla që mbahen me dorë dhe synon që në të ardhmen teknologjia të integrohet direkt në kamerat e kompjuterëve apo pajisjeve mobile.
Grupi synon të ndërtojë deri në 10,000 orbs për tregun amerikan brenda 12 muajve të ardhshëm, rreth pesë herë më shumë se sa është furnizimi aktual global. Sipas Ludwig, aktualisht po ndërtohet një fabrikë e re në Richardson, Texas, për të montuar këto pajisje.
Lançimi i modeleve të avancuara të AI të cilat mund të imitojnë me saktësi ndërveprimin njerëzor ka hapur aplikime reale për teknologjinë e World dhe e ka bërë misionin e kompanisë më të kuptueshëm dhe më pak si shkencë fiktive.
Këto modele kanë hapur rrugën për mashtrime të sofistikuara, skema “phishing” dhe manipulime online. Të mërkurën, ‘World’ shpalli një partneritet me kompaninë e takimeve online Match Group për të verifikuar përdoruesit e aplikacioneve si Tinder. Ludwig tha se kjo teknologji mund të përdoret edhe në shërbimet qeveritare dhe ato komunitare.
Ai shtoi se teknologjia mund të rrisë besimin dhe sigurinë edhe në rrjetet sociale. OpenAI, që thuhet se po zhvillon një rrjet social të vetin, mund të jetë një partner i ardhshëm, ndonëse Ludwig theksoi se teknologjia e World mund të përdoret edhe nga konkurrentë si X (e Elon Musk) apo Meta.
‘World’ ende nuk ka gjeneruar fitim dhe është përballur me kundërshtime në disa shtete për çështje të sigurisë dhe privatësisë. Vitin e kaluar, grupi u ndalua nga autoriteti i mbrojtjes së të dhënave në Spanjë, i cili ngriti shqetësime se kompania po mblidhte të dhëna personale nga të miturit. Ai është përballur gjithashtu me ndalime, hetime apo gjoba në Portugali, Hong Kong, Korenë e Jugut dhe Francë.
Ludwig deklaroi se ‘World’, e cila ofron skanime të syrit në rreth 20 vende, siguron që të gjitha të dhënat biometrike të jenë anonime.
Ai parashikoi se brenda “rreth 18 muajsh, do të fillojmë të shohim që kostot e funksionimit të rrjetit të fillojnë të mbulohen nga tarifat që gjenerohen prej tij.”