Dosier! NPK-ja në provën e Apelit! ​Jurisprudenca e Hagës

0

Shkruan Azgan Haklaj

KUR KRIMI NUK MJAFTON PËR TË PROVUAR NDËRMARRJEN E PËRBASHKËT KRIMINALE!
​HYRJE:
HAGA, VENDIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS DHE SFIDA E NPK-së!
​Qyteti i Hagës në Holandë njihet botërisht si kryeqyteti i drejtësisë ndërkombëtare.
Përgjatë më shumë se një shekulli ky qytet ka shërbyer si qendra kryesore ku ndërthuren e drejta ndërkombëtare, diplomacia dhe garantimi i të drejtave të njeriut.
​Mirëpo, kur flasim për “Gjykatën e Hagës”, shpesh i referohemi disa institucioneve të ndryshme me mandate e struktura të veçanta:
​Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND):
Është Organi kryesor i OKB-së që zgjidh mosmarrëveshjet mes shteteve.
​Gjykata Penale Ndërkombëtare (GPN):
Është Gjykata e përhershme për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
​Tribunalet Ad-Hoc dhe Dhomat e Specializuara: Janë Institucione të posaçme si Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY), apo Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSHK).
​Vendimi i Kuvendit të Kosovës (3 Gusht 2015) dhe rrethanat e votimit
​Ndryshe nga tribunalet e tjera ndërkombëtare, Dhomat e Specializuara u krijuan nga vetë institucionet e Kosovës.
Me datën 3 gusht viti 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Amendamentin Kushtetues 24 (Neni 162) dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara.
​Votimi i këtij ligji nga deputetët e Kosovës nuk erdhi si produkt i një vullneti të brendshëm normativ, por nën një presion të jashtëzakonshëm gjeo-politik e diplomatik nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faktorët kyç që çuan në këtë vendim ishin:
​Kërcënimi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Aleatët ndërkombëtarë i bënë me dije udhëheqjes së Kosovës se refuzimi i gjykatës do të aktivizonte një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (me iniciativë të Rusisë dhe Kinës) për krijimin e një tribunali tërësisht ndërkombëtar, mbi të cilin Kosova nuk do të kishte asnjë lloj sovraniteti apo kontrolli kushtetues.
​Raporti i Dik Martit (Këshilli i Evropës):
Zhurma mediatike dhe politike e shkaktuar nga raporti i vitit 2010 kërkonte një përgjigje zyrtare juridike për të pastruar figurën e UÇK-së nga pretendimet për trafikim organesh.
​Kërkesat Bazë të Kartës së Specializuar:
Ligji kërkonte krijimin e një strukture “hibride” — formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli jashtë vendit (në Hagë), me staf tërësisht ndërkombëtar (gjyqtarë e prokurorë) dhe me buxhet të financuar nga BE-ja, me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve dhe garantimin e paprekshmërisë nga ndikimet politike lokale.
​Edhe pse u themeluan mbi këtë bazë kushtetuese, Dhomat e Specializuara krijuan një hibrid juridik që shpesh ka vepruar me shkëputje totale nga korniza europiane e mbikëqyrjes.
Në këtë kuadër gjyqësor, pika më e nxehtë mbetet doktrina e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK).
​TENSIONALITETI EDHE TRAMPOLINA JURIDIKE: RËNIA E AKUZAVE FILLESTARE DHE “AKROBACITË” PROCEDURALE!
​Sfidimi më i madh i këtij procesi qëndron në tjetërsimin e vetë objektit të gjykimit gjatë rrugës:
​Rënia e pretendimeve për trafikim organesh: Tërësisht e gjithë baza politike e morale mbi të cilën u ngrit raporti i Dick Marty-t dhe mbi të cilën ndërkombëtarët e arsyetuan krijimin e kësaj gjykate – pra akuzat për trafikim organesh (“Shtëpia e Verdhë”) – u rrëzua për mungesë totale provash.
​Akrobacia e Prokurorisë me NPK-në:
Pasi ra akuza fillestare që shërbeu si shkak për krijimin e Dhomave të Specializuara, organet e akuzës bënë një “akrobaci juridike”.
Ajo e zgjeroi dhe e riformuloi doktrinën e NPK-së duke dalë nga objekti origjinal, për ta riorientuar atë te krimet e përgjithshme të luftës.
​Tjetërsimi i konceptit:
Prokuroria po tenton ta paraqesë luftën çlirimtare në një mënyrë paradoksale; duke pranuar formalisht se “synimi për çlirim ishte i mirë”, por duke pretenduar se “veprimi ushtarak bashkëpunoi me krimin”, duke krijuar kështu një konstrukt artificial ku çdo veprim lokal shndërrohet në plan qendror kriminal.
​ANOMALIA DHE DREJTËSIA:
PERCEPTIMI SE “S’PO DËNOET UÇK-ja, POR INDIVIDËT”.
​Të thuash se në Hagë po gjykohen “vetëm individë dhe jo UÇK-ja” përbën një paradoks konceptual e ushtarak, sepse:
Çlirimtarët, të akuzuarit kryesorë nuk ishin anëtarë të rastësishëm apo periferikë.
Ata ishin projektuesit, udhëheqësit politikë, drejtuesit e shtabit dhe zëri publik i UÇK-së.
Ata përfaqësonin trurin, zemrën dhe shpirtin e lëvizjes çlirimtare.
​Mundësia e keqpërdorimit të narrativës:
Nëse truri dhe komanda qendrore e një ushtrie çlirimtare shpallen si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, atëherë diferencimi formal midis “individit” dhe “organizatës” zbehet.
​Narrativat sllave:
Kjo hapësirë konceptive i jep ushqim narrativës propagandistike sllave e serbe, e cila tenton ta paraqesë shtetin e Kosovës jo si produkt të një të drejte historike për vetëvendosje kundër gjenocidit, por si një projekt të lindur nga krimi.
Prandaj, rrëzimi i NPK-së në Apel mbron jo vetëm individët, po vetë bazën e shtetformimit.
​ORIGJINA DHE STANDARDI I NPK-së:
RASET E BOSNJËS DHE PLANIT “PATKOI” NË KOSOVË!
​Për të kuptuar se çfarë është në të vërtetë një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale sipas jurisprudencës së ICTY-së, duhet t’i referohemi rasteve ku NPK-ja u provua sepse ekzistonte një plan i mirëfilltë, i dokumentuar dhe i organizuar shtetëror ose ushtarak.
​Bosnja e Hercegovina:
Karaxhiç dhe Mlladiç (NPK-ja e Planit Gjenocidal).
​Në rastet e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës – Radovan Karaxhiç (President) dhe Ratko Mlladiç (Komandant i Përgjithshëm i VRS) – Tribunali i Hagës provoi ekzistencën e NPK-së sepse paraqiti prova direkte; direktiva ushtarake (si Direktiva 7), transkripte të kuvendeve, urdhra operacionalë dhe kontroll të plotë vertikal e komandues për dëbim e gjenocid prandaj ata u denuan me burgim të përjetshëm, ndërsa frymëzuesi i tyre ish presidenti i republikës federale të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç vdiq pa u marrë vendimi pas një aktgjykim përfundimtar për 66 pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit e krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë.
​Kosovë:
Dënimet e Aparatit Shtetëror Serb me Operacionin “Patkoi” (107 vjet burgim)
​Po ashtu, Tribunali i Hagës dënoi makinerinë shtetërore të Serbisë për krimet në Kosovë, pasi NPK-ja u bazua te plani i organizuar shtetëror – Operacioni “Patkoi” – me synim dëbimin masiv dhe ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës (duke dënuar Shainoviçin, Pavkoviçin, Lukiçin, Ojdaniçin, Llazareviçin dhe Gjorgjeviçin.
Theksojmë se:
Vendimi i Tribunalit për Sheshelin në shkallën e parë si i pafajshëm për 9 pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit e krime lufte në Bosnje- Hercegovinë e Kroaci nga forcat serbe në vitet 1991-1993 u korrigjua në apel në vitin 2018-të dhe u bë përmbysja e pjesshme e pafajsisë
Ai u denua 10 vite burg.
Ndërsa presidenti i Serbisë Milutinoviç u shpall i pafajshëm në vitin 2009-të për të gjitha pikat e aktakuzës, ndonëse përgjegjës për mijra civilë të vrarë.
Ai u shpall i pafajshëm me arsyetimin se nuk kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashket kriminale e nuk ushtrinte kontroll efektiv mbi forcat e ushtrise jugosllave e policisë në Kosovë.
Natyrisht lind pyetja a kemi dy standarte apo një.
Pse nuk ka të njëjtin standarti tek çlirimtarët???!!
​Duhet të apostrofojmë faktin se ku pati plan shtetëror, komandë qendrore dhe urdhra të qartë për dëbim, NPK-ja u provua.
Aty ku munguan këto elemente, NPK-ja u rrëzua.
​RASTET E UÇK-së NË ICTY DHE DSHK:
KRIMI I PROVUAR NUK MJAFTON PËR NPK-NË
​Kur Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY) gjykoi komandantët dhe pjesëtarët e UÇK-së, praktika gjyqësore e hodhi poshtë supozimin automatik të NPK-së:
​Fatmir Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Bala: Prokuroria pretendoi NPK sistemike, por Dhoma e Apelit (2007) konfirmoi pafajësinë e Limajt e Musliut, duke lënë në fuqi dënimin e Balës vetëm për veprime konkrete personale.
​Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj: Pretendimi për NPK në Zone e Dukagjinit u rrëzua plotësisht sepse krimet e izoluara nuk përbënin një plan të përbashkët kriminal.
Pas një beteje të stërgjatur në vitet 2008- 2010- 2012, me dt 29 nëntor të vitin 2O12-të Dhoma e Apelit i shpalli të pafajshëm.
​Rastet e tjera në DSHK (Mustafa, Shala, Gucati & Haradinaj):
Të gjitha proceset kanë dëshmuar se përgjegjësia individuale apo pengimi i drejtësisë nuk mund të tjetërsohen në teorizime të gjera kolektive apo strukturore për NPK.
​GOTOVINA DHE MARKAÇ:
KUR RRËZOHET BAZA, RRËZOHET NPK-JA.
​Në rastin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, Dhoma e Apelit (16 nëntor 2012) i shpalli ata plotësisht të pafajshëm.
Ky rast dëshmon diçka thelbësore:
Apeli nuk është dekorativ.
Kur premisa faktike mbi të cilën ndërtohet NPK-ja rrëzohet, bien të gjitha pretendimet e akuzës.
​DISTINKCIONI VENDIMTAR:
DIJA, PAFUQIA DHE KONTROLLI EFEKTIV NUK ËSHTË NPK!
​Këtu qëndron kufiri më i rëndësishëm ligjor që duhet t’i nënshtrohet testit të Apelit:
Dija për krimet, pafuqia për parandalimin e tyre, apo pamundësia apo neglizhenca për t’i ndaluar ato nuk përbëjnë dhe nuk mund të konfigurojnë automatikisht Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.
​Gjykatat ndërkombëtare e kanë bërë këtë ndarje me rreptësi absolute përmes dy koncepteve krejtësisht të ndryshme:
​Qëllimi i Përbashkët Kriminal (Shared Intent) versus Përgjegjësia e Komandës (Command Responsibility).
​Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK):
Kërkon prova të drejtpërdrejtë për Qëllimin e Përbashkët Kriminal (Shared Intent) – që do të thotë se i akuzuari jo vetëm që ka pasur dijeni, por ka ndarë të njëjtin vullnet dhe synim kriminal me autorët e tjerë.
​Dija + Pafuqia (Përgjegjësia e Eprorit):
Nëse një udhëheqës ka pasur dijeni se persona apo grupe në terren po kryejnë shkelje, por i ka munguar mundësia reale ose kontrolli efektiv për t’i parandaluar apo ndëshkuar ato, kjo bie vetëm në fushën e përgjegjësisë së eprorit.
Dija pasive ose pafuqia për të vepruar nuk përbën vullnet kriminal dhe nuk e shndërron kurrë një drejtues automatikisht në pjesëmarrës të një NPK-je.
​Standardi i Kontrollit Efektiv (Effective Control).
​Në një luftë me formacione guerile e kryengritëse, ku struktura komanduese shpesh ka qenë horizontale, e copëzuar ose pa mjete ekzekutive (mungesë e policisë ushtarake, e burgjeve të rregullta apo e gjykatave funksionale), pafuqia për të ndaluar një krim nuk mund të interpretohet si “pëlqim në heshtje” (tacit approval) dhe as si kontribut në NPK.
​STANDARDI I LEGALITETIT (1998–1999): ZBATIMI I LIGJIT TË ISH-RSFJ-së.
​Një nga shtyllat më kryesore të së drejtës penale ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës është Parimi i Legalitetit (Nullum crimen, nulla poena sine lege).
​Realiteti i viteve 1998–1999:
Kosova nuk kishte kod të vetin penal.
Sipas Neni 7 të KEDNJ-së, askush nuk mund të dënohet për një vepër që nuk përbënte vepër penale sipas ligjit në fuqi gjatë asaj kohe.
​Kodi Penal i ish-RSFJ-së (1977):
Gjykata duhet t’i përmbahet kuadrit ligjor të vitit 1977, i cili nuk e njeh konceptin e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” në formën e saj të zgjeruar moderne.
Të aplikosh koncepte doktrinore moderne pas dy dekadash mbi ngjarjet e vitit 1998 përbën shkelje të parimit të legalitetit.
​ASIMETRIA JURIDIKE:
GJYKIMI I KATËR ÇLIRIMTARËVE PA STANDARDIN EUROPIAN (GJEDNJ).
​Sot, procesi ndaj krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi në DSHK përballet me një anomali të madhe juridike. Shtetet si Kroacia kishin pas vetes mbrojtjen e sovranitetit dhe qasjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strazburg.
Ndërkaq, Dhomat e Specializuara veprojnë si një gjykatë e izoluar, pa një shkallë kontrolli të jashtme eyropiane ku të akuzuarit të ankohen për zgjatjen e paraburgimit apo abuzimin me teorinë e NPK-së.
​ZINXHIRI I DETYRUESHËM PROVUES NË APEL!
​Prandaj, në çdo shqyrtim gjyqësor apo apel, trupi gjykues duhet të ndjekë me rreptësi këtë zinxhir të qartë provues:
​Qëllimi i Përbashkët Kriminal (Shared Intent):
Duhet të provohet se ekzistonte një plan ose synim i përbashkët kriminal.
​Prova e Ekzistencës së Planit:
Mungesa e provave direkte për një plan shtetëror apo ushtarak e rrëzon të gjithë konstruktin.
​Dija dhe Vullneti:
I akuzuari duhet jo vetëm të ketë dijeni, por të ketë shprehur vullnetin për realizimin e atij qëllimi.
​Pjesëmarrja Individuale:
Përgjegjësia kërkon veprime konkrete dhe nuk transmetohet automatikisht nga pozita apo funksioni.
​Kontributi Konkret:
Duhet të provohet një kontribut domethënës në realizimin e planit kriminal.
​Përgjegjësia Penale dhe Fajësia:
Fajësia vendoset vetëm nëse provohet secila hallkë e mësipërme përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
​Nëse një hallkë e vetme e këtij zinxhiri mungon, ajo nuk mund të plotësohet me pozita ushtarake, autoritet politik, anëtarësi në një strukturë, e aq më pak me dijen pasive apo pafuqinë për të vepruar në terren.
​PËRFUNDIM:
UÇK-JA NUK ËSHTË NPK.
​UÇK-ja është konteksti historik dhe ushtarak i një populli për liri.
NPK-ja është vetëm një teori e përgjegjësisë penale. Atyre nuk mund t’u vendoset shenja e barazimit.
​Jurisprudenca e vetë Hagës na e lë këtë mësim të qartë:
​Rasti Karaxhiç–Mlladiç & Operacioni “Patkoi”: NPK-ja kërkon plan të dokumentuar, komandë vertikale dhe qëllim të provuar shtetëror-ushtarak.
​Rasti Limaj–Musliu–Bala & Haradinaj:
Krimet individuale nuk përbëjnë NPK sistemike.
​Rasti Gotovina–Markaç:
Apeli mund dhe duhet ta rrëzojë NPK-në kur mungojnë provat faktike.
​Shmangia e Akrobacive Juridike:
Rënia e akuzave për trafikim organesh vërtetoi se konstrukti fillestar ra; dënimi përmes riformulimit të NPK-së do të përbënte devijim nga objekti origjinal.
​Mbrojtja e Trurit dhe Shpirtit të UÇK-së:
Arsyetimi se “po dënohen vetëm individët” bie kur ata individë përfaqësojnë vetë udhëheqjen ushtarake e politike të luftës çlirimtare.
Dënimi i tyre me NPK i hap rrugë narrativave sllave se shteti i Kosovës u ngrit mbi krimin.
​Dija dhe Pafuqia nuk është NPK:
Dija pa qëllim të përbashkët kriminal (shared intent) dhe pafuqia pa kontroll efektiv nuk mund të shndërrohen kurrë në NPK.
​Kriteret bazë të së drejtës penale mbeten të pashmangshme:
​NPK-ja duhet të provohet – jo të supozohet.
​Qëllimi i përbashkët kriminal duhet të provohet – jo të nxirret nga pafuqia për të ndaluar shkeljet apo nga akrobacitë procedurale.
​Pjesëmarrja duhet të individualizohet – jo të transferohet.
​Fajësia duhet të provohet – jo të inferohet nga pozita.
​Një luftë çlirimtare nuk mund të ulet në bankën e të akuzuarit.
Në fund të çdo procesi penal duhet të sundojë vetëm një standard:
Prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu