Zvarritja në Kosovë nuk prodhon zgjidhje

0

Shkruan Zef Ndreka

– Kosova nuk mund të qëndrojë pafundësisht në një gjendje tranzicioni institucional.
– lnstitucionet nuk mund të mbeten peng i përplasjeve politike.
Kriza institucionale në Kosovë ka hyrë në një fazë ku zvarritja nuk prodhon më zgjidhje, por vetëm thellon pasigurinë politike dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.
Kaloi një periudhë e gjatë që nuk arrihet konstituimi i institucioneve të reja dhe përgjegjësia politike bie, para së gjithash, mbi forcën që ka marrë mandatin për të provuar krijimin e shumicës, pra mbi VV-në dhe përsonalisht mbi Albin Kurtin.
Nga ky këndvështrim, opozita nuk ka arsye të pranojë pafundësisht shtyrjen e procesit. Në sistemin parlamentar që është në Kosovë, legjitimiteti nuk buron vetëm nga rezultati i zgjedhjeve, por edhe nga aftësia për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverisje.
Por kjo nuk po arrihet, atëherë duhet të respektohen mekanizmat kushtetues që ofrojnë rrugëdalje nga ky ngërç.
Të gjithë që e kritikojnë Albin Kurtin, argumentojnë se strategjia e tij politike është përqendruar më shumë tek ruajtja e kontrollit politik sesa tek ndërtimi i kompromisit institucional. Mungesa e dialogut me partitë e tjera dhe refuzimi për të gjetur një zgjidhje konsensuale kanë zgjatur krizën dhe kanë krijuar perceptimin se interesi partiak po vihet mbi interesin shtetëror.
Nga ana tjetër, mbështetësit e tij kundërshtojnë këtë vlerësim dhe thonë se përgjegjësia ndahet edhe me opozitën, e cila, sipas tyre, ka refuzuar çdo formulë bashkëpunimi. Pikërisht për këtë arsye, është e rëndësishme që debati të mbështetet në faktet politike dhe në procedurat kushtetuese, duke shmangur përfundime që tejkalojnë atë që mund të provohet.
Ajo që mbetet e padiskutueshme në këtë kohë, është se Kosova nuk mund të qëndrojë pafundësisht në një gjendje tranzicioni institucional. Çdo ditë vonesë dobëson funksionimin e shtetit, dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit dhe krijon pasiguri për qytetarët. Institucionet nuk mund të mbeten peng i përplasjeve politike.
Prandaj, nëse nuk ekziston një shumicë parlamentare e aftë të konstituojë institucionet dhe të formojë qeverinë, atëherë zgjidhja duhet të kërkohet brenda kornizës kushtetuese, qoftë përmes një formule tjetër qeverisëse dhe nëse kjo rezulton e pamundur, duhet rikthyer sovranit përmes zgjedhjeve të reja.
Demokracia funksionon mbi respektimin e rregullave, mbi dialogun dhe mbi aftësinë për të ndërtuar institucione, jo mbi zgjatjen e pafundme të krizave politike, siç po vepron Albin Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu