“Darka e Fundit”, mistikja e Leonardo da Vincit, kryevepra e kryeveprave të pikturës

0
Shkruan Albert Vataj
Pikërisht sot, 531 vite më parë, më 14 maj 1495, Leonardo da Vinci nisi punën mbi “Darkën e Fundit”, kryeveprën monumentale që do të shndërrohej jo vetëm në një nga imazhet më të njohura të qytetërimit perëndimor, por edhe në një nga misteret më të mëdha artistike të historisë. E realizuar në murin e sallës së ngrënies së manastirit dominikan Santa Maria delle Grazie në Milan, kjo pikturë murale nuk është thjesht një interpretim biblik; ajo është një dramë e ngrirë në kohë, një shpërthim emocionesh, një teatër i shpirtit njerëzor.
“Darka e Fundit” paraqet çastin e përshkruar në Ungjillin sipas Gjonit (13:21), kur Jezusi, i ulur mes dishepujve, shqipton fjalët që do të trondisnin themelin e besimit dhe miqësisë: “Njëri prej jush do të më tradhtojë.”
Por madhështia e Leonardos nuk qëndron vetëm tek tema. Ajo që e bën këtë vepër të pavdekshme është mënyra si ai arrin të pikturojë jo trupat, por tronditjen e ndërgjegjes. Çdo apostull reagon ndryshe, habi, zemërim, mohim, frikë, hutim, dyshim. Duket sikur fjala e Jezusit përhapet mbi tryezë si një valë tërmeti shpirtëror. Askush nuk mbetet i pandryshuar nga ajo fjali. Dhe megjithatë, në qendër të kësaj furtune emocionale, Jezusi mbetet i qetë, i heshtur, pothuajse jashtë kohës. Ai nuk është thjesht figura qendrore e kompozimit; ai është boshti metafizik i gjithë veprës.
Leonardo e organizon skenën me një mjeshtëri gati matematikore. Perspektiva lineare përqendrohet tek koka e Krishtit, duke e kthyer atë në pikën gravitacionale të syrit dhe mendimit. Drita, gjestet, ritmi i trupave, gjithçka shkon drejt tij. Në këtë pikturë, arti bëhet arkitekturë e shpirtit.
Ndryshe nga teknikët tradicionalë të afreskut, Leonardo eksperimentoi me një metodë të re, duke pikturuar mbi mur të thatë për të arritur delikatesë më të madhe në ngjyra dhe nuanca. Ishte një zgjedhje gjeniale, por fatkeqe për jetëgjatësinë e veprës. Piktura nisi të degradohej vetëm pak dekada pas përfundimit. Megjithatë, edhe e rrënuar nga koha, lagështia, luftërat dhe restaurimet, ajo vazhdon të ruajë një fuqi hipnotike që asnjë dëmtim nuk mund ta zbehë.
Kritikët dhe historianët e artit kanë thënë shpesh se e veçanta e “Darkës së Fundit” është vetë Jezusi. Jo vetëm për mënyrën si paraqitet, por për paqen e thellë që rrezaton në mes të trazimit njerëzor. Sipas një gojëdhëne të njohur, kur Leonardo arriti të pikturonte fytyrën e Krishtit, ai ishte i pushtuar nga zemërimi dhe trazimi i brendshëm. Thuhet se e kishte të pamundur të përqendrohej e të gjente dritën e duhur të shprehjes. Vetëm pasi arriti të qetësonte shpirtin dhe të harronte shkakun e zemërimit, një lloj pendese dhe pajtimi me vetveten, ai mundi të krijonte fytyrën që sot bota njeh si një nga paraqitjet më sublime të Krishtit në art.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse “Darka e Fundit” mbetet e pavdekshme: sepse ajo nuk flet vetëm për tradhtinë e Judës, por për dramën e njeriut përballë së vërtetës. Për çastin kur besimi lëkundet, kur ndërgjegjja sprovohet, kur dashuria dhe frika ulen në të njëjtën tryezë.
Në historinë e artit ka shumë kryevepra. Por ka shumë pak vepra që arrijnë të jenë njëkohësisht lutje, filozofi, teatër, matematikë, psikologji dhe profeci.
“Darka e Fundit” është njëra prej tyre.
Ndoshta më e madhja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu