Kosova do t’i drejtohet sërish zgjedhjeve të parakohshme, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Seancat e njëpasnjëshme dështuan për shkak të mungesës së konsensusit, ndërsa opozita nuk mori pjesë në procesin e votimit, duke e bërë të pamundur arritjen e kuorumit të nevojshëm.
Kryeministri Albin Kurti reagoi nga salla e Kuvendit, duke akuzuar opozitën për mungesë vullneti dhe për bllokim të qëllimshëm të institucioneve. Ai deklaroi se janë bërë disa përpjekje dhe oferta për marrëveshje, por sipas tij, të gjitha janë refuzuar.
“Sot bëhen vetëm katër muaj nga zgjedhjet e fundit dhe ndodhemi sërish në këtë situatë. Opozita nuk kërkon zgjidhje, por bllokim. Ata nuk duan përgjegjësi, por as të tjerët të qeverisin,” u shpreh Kurti.
Sipas procedurave kushtetuese, vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditësh, që pritet të mbahen në fillim të muajit qershor.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës reagoi duke e cilësuar dështimin e zgjedhjes së Presidentit si shmangie të një shkeljeje të rëndë kushtetuese. Në deklaratën e saj, PDK thekson se janë ndalur përpjekjet për një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës ligjore.
“Institucionet dhe rendi kushtetues u mbrojtën,” thuhet në reagim.
Situata ka thelluar përplasjet politike në vend, ndërsa Kosova përballet sërish me një proces zgjedhor vetëm pak muaj pas atij të fundit, duke rritur pasigurinë politike në vend.



