Nuk ishte aksident, por krim që mund të parandalohej!

0

Shkruan Belind Këlliçi

Krejt vendi është i mpirë nga tronditja që shkaktoi dje në Durrës një i dehur në timon i cili mori jetën e dy fëmijëve dhe i treti ndodhet në spital në gjendje kritike.
Shoqëria masivisht e ka dënuar autorin dhe apeli për ndryshimin e Kodit Rrugor po bëhet.
Personalisht mbështes çdo nisëm që do të sjellë forcimin e penalitetit. Dhe po ashtu, ndërgjegjësim lypset çdo ditë.
Mirëpo në këtë moment reflektimi, na duhet të analizojmë e ta themi hapur. Nuk ishte një aksident, nuk ishte një fatalitet, por ajo që ndodhi në një lagje në Durrës ishte një krim që mund të parandalohej!
Personi njihej si problematik, dihej se ngjitej në timon i dehur. Por ishte toleruar. Dhe sigurisht ky nuk është rasti i parë.
Nëse hallkat shetërore do të funksionin, nëse policia do ta bënte detyrën si duhet, autori ndoshta nuk do të drejtonte makinën, ngjarja do të shmangej. Shqipëria duhet të jetë sot në këtë nivel bazik të sigurisë. Të mos ecim me idenë, s’ke çfarë i bën, gjëra si këto ndodhin.
Kur vjen puna në momente të vështira si këto, para zhvillimeve tragjike, del se jemi gjithnjë të papërgatitur. Ai shteti që propagandohet dhe na paraqitet me mburrje, papritur nuk ekziston.
Kur një zjarr përpin një kompleks pallatesh, kur bien rrugët, kur humbin jetën njerëzit nëpër perplasje, kur ndodhin përmbytje, apo dukuri të forta natyrore.
Kemi parë policinë që dështon në kapjen e personave në kërkim, kur të gjithë e dinë se janë të lirë e vijnë vërdallë.
I vetmi rast kur shteti shkëlqen, arrin majat, me paisje, me organizim, me efiçensë, është kur rreshtohet në skalione force kundër Opozitës.
Nëse policia do të tregonte të njëjtin përkushtim që ka në ruajten e karrikes së Edi Ramës, edhe për sigurinë në rrugë, edhe për mbrojtjen e qytetarëve, tragjedi si ajo në Durrës nuk do të ndodhnin!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu