Një ditë pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun, kryeministri Edi Rama ka pranuar përplasjet me faktorin ndërkombëtar.
Vota në Kuvend kundër SPAK, shkaktoi reagime nga disa përfaqësi diplomatike kërkuar që lufta kundër korrupsionit të jetë parësore për anëtarësimin në BE.
Në konferencën që po mban me gazetarët, shefi i qeverisë tha se është e vërtetë që kanë pasur debat me disa nga partnerët e vendit lidhur me këtë çështje, por shtoi se “nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë”.
“Një çështje korrupsioni se vetë prokuroria nuk ka ngritur akuzë por për një çështje në hetim, e cila mund të hetohet lirisht pa as më të voglën pengesë dhe e përsëris atë që thashë përpara grupit parlamentar, unë e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje. Dhe sikundër besoj e dinë shumica, por bëjnë sikur s’e dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, interesin e vendit dhe një nga normat e pa diskutueshme të këtij përfaqësimi është t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë po as nuk pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë. Përtej mënyrës se si është karikatura e pazarit politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive.
Nuk ka pasur asgjë si ato që janë thënë sa i përket tensionit apo presionit apo kërcënimit. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Dhe besoj se edhe deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë të qarta.“, tha Rama.








