Shkruan Zef Ndreka
Situata sonte ishte realisht vetëm e nxehtë përpara godinës së kryeministrisë dhe më pas tek kuvendi popullor. Siç shihet edhe nga pamjet, vërehet vetëm zjarr, shpërthime dhe tension i lartë para një godine qeveritare, me turmë, flakë dhe mjete piroteknike. Kjo taktikë e PD-së dhe opozitës e zhvendos protestën nga mesazh politik tek spektakli i dhunën. Kjo është taktika kur humbet kauza.
Dhuna asnjëherë nuk është tregues i forcës politike. Për më tepër kur opozita kalon tek molotovët, tymi dhe përplasjet me policinë, perceptimi publik ndryshon menjëherë. Dhe
fokusi ikën nga arsyet e protestës dhe shkon te rendi dhe siguria. Kështu, qytetari i pavendosur trembet, nuk afrohet dhe ndërkombëtarët distancohen. Ndërsa qeveria fiton justifikim për masa më të ashpra.
Historikisht dhuna rrallë ka rrëzuar qeveri në sisteme që ende kanë zgjedhjet për rrotacion. Dhe përdorimi i dhunës nga opozita zakonisht e forcon pushtetin me argumentin se po mbrojmë stabilitetin nga kaosi opozitar.
Pjesëmarrja e ulët ishte mesazhi real i protestës edhe pse në politikë numrat nuk janë çdo gjë.
Gjithsesi, protesta e madhe pa dhunë ka më shumë legjitimitet moral. Ndërsa protesta e vogël me dhunë si kjo e ditës së sotme është dëshpërim politik.
Qytetarët nuk dolën, nuk iu përgjigjën PD-së dhe opozitës dhe kjo tregon lodhje elektorale, tregon mungesë besimi tek alternativa
ose frikë nga përshkallëzimi i dhunës.
Problemi real është se PD-ja ndodhet në fazë rënieje ekstreme duke treguar se kjo forcë politike me Berishën pengmarrës ka hyrë në grahmat e fundit, sepse PD-ja dhe opozita në tërësi, sot ka humbur mbështetjen, kanë radikalizuar gjuhën dhe veprimet, duke u futur në rreth vicioz.
Rrëzimi i qeverisë nuk ndodh me flakë e me tym, por me organizim të qetë dhe masiv, me program të qartë ekonomik e social, me figura të reja që krijojnë besim, me koalicione të gjëra, me zgjedhje
Pa këto, protesta si kjo e sotmja, mbetet moment emocional, jo ndryshim politik dhe ajo që pamë sonte duket më shumë si shfryrje zemërimi sesa strategji për pushtet.
Dhe zemërimi digjet shpejt, por nuk ndërton dot shumicë.








