Shkruan Zef Ndreka
Reduktimi i politikës në një spektakël gjyqësor.
Sidomos në vitin që shkoi, shqiptarët dhe ndërkomëtarët kanë parë realisht në Shqipëri një drejtësi që arriti të trazoje politikën, por edhe një lojë të diktuar nga ky trazim, i forcave kryesore politike, kryesisht të PS-së dhe PD-së.
Reforma në drejtësi, me fokusim SPAK-un në qendër të saj, arriti të hyrë në një fazë të re, nga premtimi institucional, ajo u shndërrua në faktor real politik.
Në këtë kontekst, pyetja nuk është më nëse SPAK do të prodhojë lajme politike apo jo, por sa thellë do të ndikojë ai në diktimin e lojës politike gjatë këtij viti dhe më tej.
Në shoqërinë shqiptare, ku për shumë dekada drejtësia ka qenë gjithnjë pjesë e problemeve dhe jo e zgjidhjeve, çdo veprim penal i sotëm ndaj politikës përbën tërmet dhe ka pikërisht efekte reale sizmike. SPAK-u gjatë 2025 nuk ka goditur vetëm individë të dyshuar për korrupsion apo abuzim me pushtetin, por më tej, ai ka goditur dhe po godet një kulturë të tërë pandëshkueshmërie, e cila e kishte kthyer politikën në zonë të paprekshme.
Kjo është arësyeja pse drejtësia penale dhe politika janë përplasur tashmë ballë për ballë, duke prodhuar realitetin e ri ku drejtësia nuk është më prapaskenë, por skena kryesore.
Ndikimi i SPAK-ut në lojën politike shfaqet në shumë plane.
Së pari, gjatë vitit që shkoi, ai ka futur frikën si element të ri. Politikanët sot nuk mendojnë më vetëm për votat, por edhe për dosjet. Ky fakt po ndryshon sjelljen publike, gjuhën politike dhe madje edhe strategjitë e brendshme të partive. Vendimmarrjet do bëhën më të kujdesshme, por jo domosdoshmërisht më të ndershme sepse realisht partitë janë më të frikësuara për zullumet nga qeverisjet.
Së dyti, SPAK-u realisht paralizoi riciklimin klasik të elitave politike. Shumë figura të konsumuara, të cilat dikur lëviznin lirshëm nga një pozicion në tjetrin, sot qëndrojnë në një gjendje pritjeje të pasigurt. Kjo bllokoi rinovimin real të politikës, sepse partitë, në vend që të prodhojnë alternativa të reja, do të duhet të presin e të shohin se kush do të mbijetojë juridikisht. Në këtë mënyrë, drejtësia po arrinë ta mbaj politikën peng, por njëkohësisht po i heq asaj alibitë morale.
Së treti, konfliktet politike po zëvendësohen nga konfliktet penale. Debatet për programe, vizione dhe zhvillime janë zbehur përballë pyetjes:“Kush e ka radhën”?!.
E gjitha kjo, e varfëron diskursin publik dhe e redukton politikën në një spektakël gjyqësor. Megjithatë, ky reduktim ka edhe një anë pozitive, sepse ai i ka hequr politikës petkun e hipokrizisë, duke e ekspozuar si një fushë ku përgjegjësia ligjore duhet të jetë po aq reale sa ajo morale.
Por i gjithë ky proces mbart edhe rreziqe serioze. Rreziku më i madh nuk është veprimi i SPAK-ut, por perceptimi i selektivitetit. Nëse krijohet bindja se drejtësia godet disa dhe kursen disa të tjerë, atëherë besimi publik do të dëmtohet rëndë. Drejtësia, për të qenë legjitime, nuk mjafton të jetë ligjore, ajo duhet të jetë edhe e perceptuar si e drejtë. Në të kundërt, rrezikon instrumentalizimin nga politika, duke u shndërruar nga arbitër në armë të dikujt e në shërbim të dikujt.
Në bilancin e vitit që shkoi, SPAK-u nuk arriti ta pastroje ende politikën shqiptare, por sëpaku e tronditi atë në themele duke treguar se është kusht i domosdoshëm për çdo zgjidhje të ardhshme e afatgjata.
Loja politike në këtë vit që sapo ka hyrë, nuk do të diktohet nga idetë apo programet, por nga ritmi i hetimeve dhe nga guximi i drejtësisë për ti shkuar hetimeve deri në fund.
Kështu, nqs SPAK-u do të arrij të ruajë pavarësinë, që duket se po e fiton, mund të themi se po arrihet pika e kthesës mes demokracise formale dhe shtetit real të së drejtës.
Shqiptarët nuk duan dhe nuk presin më një politikë që di shumë mirë vetëm të mbijetojë edhe mes stuhive që vetë i ka shkaktuar…








