Shkruan Zef Ndreka
Nëse e shohim çështjen e znj. Belinda Balluku në mënyrë politike, institucionale dhe morale, atëherë përgjigjjën duhet ta shikojmë në disa plane.
E parë në planin institucional, ligjor, nëse ndaj saj ka procedime konkrete nga SPAK, pra hetime të hapura, akuza të ngritura apo indicie serioze për abuzim me detyrën, atëherë është në nderin e Ballukut të dorëhiqet nga detyra e zv/ jryeministres, pra, dorëheqja është e domosdoshme.
Në çdo vend normal, një zyrtar i nivelit të lartë, nën hetim për korrupsion apo shpërdorim detyre, duhet të largohet për të mos ndikuar në procesin hetimor dhe për të ruajtur integritetin e institucioneve.
Kjo në vetvete nuk është një ndëshkim, por akt përgjegjësie dhe transparence.
E parë në planin moral dhe politik edhe në mungesë të një akuze formale, nëse figura e saj është bërë objekt dyshimesh të forta publike, dorëheqja do të ishte akt dinjitoz për të ruajtur autoritetin e qeverisë.
Në demokraci të pjekura, mjafton një krizë besimi publik që një ministër të tërhiqet përkohësisht, në pritje të sqarimit të plotë të akuzave.
E parë në plann strategjik për kryeministrin do të thonim se nëse Rama synon të tregojë seriozitet ndaj korrupsionit dhe të mos perceptohet si mburojë për njerëzit e tij të afërt, largimi i Ballukut do të ishte një sinjal i fortë politik dhe një veprim me efekt pozitiv për imazhin e qeverisë.
Por do të shohim në ditët në vazhdim, nqs ka hetim aktiv, atëhere dorëheqja është e detyrueshme.
Por edhe nqs do të ketë vetëm akuza publike, të mbështetura në indicie serioze, dorëheqja përsëri është moralisht e drejtë.
Vetëm nëse akuzat janë thjesht politike pa baza, atëherë ajo mund të qëndrojë, por me transparencë të plotë.
Në Shqipëri, fatkeqësisht, dorëheqja shihet ende si “pranim faji”, ndërkohë që në thelb është akt përgjegjësie demokratike.








