Shkruan Zef Ndreka
Ka histori që të shkundin shpirtin, sepse të kujtojnë se përtej luksit, indiferencës dhe rrëmujës së përditshme, ka fëmijë që luftojnë çdo ditë për një copë bukë dhe për pak dashuri. Një nga këto histori është ajo e Amarildo Dungajt, 14-vjeçarit nga Lezha.
Amarildo nuk e njohu kurrë nënën e tij.
E ëma, Esmeralda, e solli në jetë dhe vetëm tre muaj më vonë e la në shkallët e një shtëpie. Sot jeton në Gjermani, pa u kujtuar asnjëherë për fëmijën që braktisi. Një boshllëk i madh, një plagë që nuk shërohet kurrë.
Por aty ku mungoi nëna, u shfaq dashuria e një familjeje tjetër. Lec Dungaj, një burrë i thjeshtë, nga një komunitet shpesh i paragjykuar, vendosi bashkë me të shoqen të rrisnin një foshnjë që nuk kishte asgjë të përbashkët me ta, veçse nevojën për jetë. Ata i dhanë atij një shtëpi, një përqafim, një emër.
Sot, Amarildo është nxënës i klasës së tetë. Shkon në shkollë, por edhe punon, sepse jeta e ka detyruar të rritet para kohe. Jeton vetëm me Lecin, pas humbjes së nënës kujdestare, dhe nuk e ndan asnjëherë. Ata janë dy shpirtëra që mbështeten te njëri-tjetri, dy njerëz që i ka lidhur jo gjaku, por dashuria dhe vuajtja e përbashkët.
Ky është momenti kur duhet të ndalemi dhe të pyesim veten:
Çfarë shoqërie jemi ne, nëse lejojmë që një fëmijë i braktisur të mbijetojë vetëm në mëshirën e fatit?
Ku janë institucionet?
Ku është shoqëria civile?
Ku është ndërgjegjja jonë kolektive?
Amarildo është më shumë sesa një djalë i varfër dhe jetim. Ai është një thirrje e hapur që na kujton se prind nuk të bën gjaku, por dashuria.
Shoqëria matet jo nga fjalët e mëdha, por nga mënyra si kujdeset për më të brishtët.
Historia e tij është një plagë, por edhe një dritë. Është një plagë që na turpëron, sepse nëna biologjike zgjodhi të harrojë.
Është një dritë, sepse një baba jo biologjik e pranoi si të vetin dhe i dha mundësinë të jetojë.
Amarildo ka nevojë për ne. Ka nevojë për mbështetje, për mundësi, për shpresë. Ka nevojë për një shoqëri që nuk e sheh thjesht si lajm prekës, por si një arsye për të ndryshuar.
Në fund të fundit, Amarildo nuk është vetëm fëmija i braktisur i një nëne që jeton në Gjermani.
Ai është fëmija i të gjithëve ne.