Shkruan Arben Llangozi
Në vend që të mbështetet tek ligji dhe Kushtetuta, një gjyqtare e Gjykatës së Lartë ka zgjedhur një rrugë tjetër: **fallxhoren personale**. Jo vetëm që shkon tek fallxhorja për çdo hall, por e ka sjellë edhe në zyrë për ta “hyshtur”. Kështu, vendimet gjyqësore nuk varen më nga prova e ligji, por nga filxhani i kafes dhe letrat e tarotit.
Kjo është risi për drejtësinë shqiptare:Nëse në filxhan dalin dy zogj, çështja shtyhet. Nëse del një kupë, i pandehuri është i pafajshëm. Nëse del një shkop, fajtor me burg të gjatë.Avokatët, provat dhe ekspertët nuk vlejnë më, gjithçka zgjidhet në pak minuta, me një kafe të trashë turku.
Po Artur Metani çfarë bën? Kryeinspektori i drejtësisë hesht sikur s’ka ndodhur gjë. Në vend që të kontrollojë gjyqtarët, duket sikur po i lë ata të shndërrojnë gjykatat në kabina fallxhorësh. Ndoshta shumë shpejt Metani do të hapë edhe një sektor të ri,Drejtoria e Horoskopit dhe Parashikimeve për Gjyqtarët.
Në këtë mënyrë, çdo vendim nuk do të bazohet te ligji, por te horoskopi:Je gaforre? Sot nuk ke fat, prandaj humb gjyqin.”Je luan? Do të triumfosh mbi kundërshtarin. Kështu, qytetarët nuk kanë pse të ankohen më për mungesë drejtësie. Tani, gjithçka varet nga yjet, tarotët dhe filxhani. Dhe në vend të Strasburgut, kemi “Strasburgun e kafesë” brenda gjykatave tona.
Madje, në korridoret e drejtësisë qarkullojnë thashetheme se Artur Metani ka harruar detyrën dhe misionin e tij, duke mbrojtur gjyqtarët e dyshuar për korrupsion dhe duke qëndruar i heshtur përballë praktikave të dyshimta, çka nxjerr në pah një kontrast qesharak mes rolit të tij formal dhe realitetit që po ndodh brenda gjykatave, për shkak se dyshohet se i është bërë magji.
Ndoshta kjo shpjegon heshtjen e pazakontë dhe mungesën e çdo reagimi, sikur të ishin “hyshtur” e magjepsur që vendimet në gjyq të merren me filxhan e tarot. Nëse kjo vërtetohet, atëherë drejtësia shqiptare nuk është më as e kapur, as e reformuar, por thjesht e mallkuar.
Kjo është reforma e re: **nga Kushtetuta te fallxhorja, nga ligji tek magjia**. Dhe për këtë, përgjegjës është Artur Metani, i cili me heshtjen e tij e lejoi drejtësinë shqiptare të kthehet në një teatër qesharak.