Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe deputetë të partive që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë reaguar ashpër pas thirrjeve antishqiptare gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë më 2 gusht.
Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës kërkoi që shteti maqedonas të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha Osmani.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”.
Një ditë më parë, Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës, kritikoi mosreagimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, por edhe të presidentes.
“Hristijan Mickoski është bërë kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN”, shkroi Behrami në Facebook, duke shtuar se “heshtja e Kurtit është më shumë se indiferencë -ajo është bashkëfajësi politike dhe morale”.
Pas presionit publik dhe reagimit të mediave, ka reaguar edhe kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, që ishte i pranishëm në sallë.
Thirrjet e huliganëve në sallë u bënë në prezencë të kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrit, Ivan Stoillkoviq, ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski dhe kryetarit të Komunës së Kumanvoës, Maksim Dimitrievski.
Ai thotë se i dënoi këto thirrje, duke i cilësuar si të papranueshme dhe duke theksuar se ato vijnë nga një grup i vogël njerëzish. Në një deklaratë më 4 gusht, Mickoski u bëri thirrje të gjithë tifozëve që të mbështesin ekipin kombëtar në mënyrë sportive dhe pa nxitje urrejtjeje.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’u bashkuar në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë – sidomos për atë që ndodhi gjatë ndeshjes në Kumanovë,” tha ai. Mickoski njoftoi gjithashtu se thirrjet ndaj shqiptarëve do të hetohen dhe do të sanksionohen, pavarësisht nga burimi i tyre. Zyrat e prokurorit kanë nisur një hetim për këtë incident.
Ndërkohë ende nuk keni një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili gjen kohë për çdo lloj postimi në rrjetet sociale, por jo për thirrjet kundër popullit të tij nga fqinjët verilindorë.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime nga 1 në 5 vjet për këdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare.