Më 11 Maj 2025, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare. Vendimi është marrë me dekret nga presidenti Bajram Begaj. Kreu i shtetit, pas diskutimeve me të gjitha palët politike, përveç Partisë Demokratike, ka zgjedhur 11 majin si datën më të përshtatshme për procesin. Begaj, në dekret shkruan se ka zgjedhur që të respektojë kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për datën e 11 majit, në mënyrë që të japë më shumë kohë për organizimin e votës së diasporës.
“Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit,“-shkruhet në dekret.