Deputetët e opozitës bllokojnë sërish punimet në Komisionin e Reformës Zgjedhore

0

Komisioni i Reformës Zgjedhore që pritet të mblidhet ditën e sotme, duket se do të jetë sërish objekt i bllokimit të deputetëve të opozitës.

Mbledhja ishte parashikuar që të niste ën orën 10:00, ndërsa ende nuk dihet nëse do të vijojnë punimet.

Deputetët e grupit të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, kanë ripërsëritur skenarin e herë së kaluar, duke bllokuar sallën ku do zhvillohet komisioni i reformës zgjedhore.

Nga ana tjetër, deputetët socialistë po presin nëpër korridoret e Kryesisë së Kuvendit.

Nuk dihet nëse bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj dhe anëtarët e PD do tentojnë të marrin pjesë, pasi mbledhjen e kaluar nuk u paraqitën për shkak të kaosit.

Kujtojmë se në seancën e së premtes së kaluar ishin deputetët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi ato që tentuan të bllokonin punimet në komision, ndërkohë që morën edhe masën përjashtim 10 ditë nga Kuvendi për këtë fakt.

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i PS dhe anëtarët socialistë nuk janë lejuar të ulen në sallën e mbledhjes.

Ndërkohë që Enkelejd Alibeaj dhe deputetët e grupit të Bashës nuk u paraqitën në mbledhje.

Duke iu referuar bllokimit të mbledhjes nga deputetët e Rithemelimit, Gjiknuri tha se as Alibeaj nuk ishte lejuar të ishte i pranishëm në sallë. Ndërsa theksoi se do gjendet mënyra që Reforma Zgjedhore të ecë përpara.

“E pamundur për t’u zhvilluar mbledhja. Fatkeqësisht këtu edhe Bylykbashin nuk e kishin sjellë edhe Alibeajn nuk e kishin lejuar të vijë ndoshta për shkak të akteve të tyre vandale. Opozita duhet të jetë e para e interesuar për të pasur një Reformë të tillë. Reforma do ecë përpara, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë do të gjendet mënyra për ta çuar përpara”, u shpreh Gjiknuri.

Ditën e djeshme 47 deputetë të grupit të Gazment Bardhit i kanë kërkuar Lindita Nikollës që të caktojë si bashkëkryetarin e opozitës, Oerd Bylykbashin, ndërkohë që grupimi i Bashës të ketë një përfaqësues.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu