Shkruan M. Gjini
Tenderi qe do të shikoni në vijim ndoshta është tenderi me vlerën më të vogël që mund të kemi publikuar ndonjëherë, rreth 7 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por mënyra se si SPAK ka vepruar për të shpallur fituesin, është e tillë që i ka bërë këtij institucioni t’i hapë “gropën vetes”.
Themi kështu pasi mënyra se si SPAK ka argumentuar skualifikimin e një pjesëmarrësi që ka ofruar vlerë më të ulët se fituesi, është qesharake dhe është bërë vetëm për të shpallur fituese firmën që duhej të fitonte.
Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-83882-10-16-2023 dhe me objekt “Loti i Parë Blerje pajisje kompjuterike”, me fond limit 1,123,555 lekë të reja pa TVSH ose rreth 13 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Në këtë tender kanë marrë pjesë 3 firma, nga të cilat njëra ka ofruar vlerë më të vogël se fituesi. Për të skualifikuar kompaninë që ka dhënë vlerë më të ulët, SPAK ka arsyetuar në një nga pikat se subjekti “nuk plotëson pikën 2.3 të kapacitetit teknik lidhur me kontratat e ngjashme pasi ka paraqitur vetëm fatura me institucione shtetërore të pashoqëruara me vërtetimin për realizimin e kontratave”.
Por fatura në vetvete sipas përcaktimit që i jep vetë ligji, është një dokument i detyrueshëm të lëshohet për çdo furnizim malli ose shërbimi të kryer kundrejt një personi të tatueshëm ose një personi juridik të pa-tatueshëm. Thënë kjo, fatura e vërteton se shërbimi apo furnizimi është kryer dhe praktikisht nuk ka nevojë të lëshojë vërtetim institucioni shtetëror.
Ndërkohë në një pikë tjetër që skualifikon firmën me ofertë më të ulët, SPAK ka arsyetuar se “Kërkohet si kriter për Siguria “Security” të jetë Trusted Platform Module TPM 2.0, duke ju referuar katalogut të marrë nga faqja zyrtare kjo pajisje rezulton me kriter sigurie Trusted Platform Module (Firmëare TPM) support. Ka një mospërputhje midis asaj që shkruhet në katalogun e sjellë nga kompania dhe informacionit në faqen zyrtare të pajisjes”.
SPAK thotë se ka mospërpuhtje por në fakt teknikisht është e njëjta gjë dhe këtu SPAK ka luajtur me lojëra fjalësh. Si përfundim fituese është shpallur kompania “Introvus Solutions” në pronësi të Ermal Sallaku për vlerën 561,900 lekë të reja pa TVSH ose rreth 7 milionë lekë të vjetra me TVSH.