Përgjatë tetë viteve të dinastisë së babait të tyre, dy fëmijët e Sali Berishës kanë grumbulluar një pasuri përrallore dhe perandorake, e cila nuk justifikohet kurrsesi me të ardhurat e tyre të ligjshme dhe të deklaruara….
Gazeta “SOT” ka denoncuar zyrat e reja të Sali Berishës, Shkëlzenit dhe Argitës, për justifikimin e të cilave do të duhej buxheti i një ministrie.
Vilat në Farkë, rezidencat në Gjirin e Lalzit, zyrat e reja tek Liqeni artificial, dhjetëra apartamente në Tiranë, dhjetëra llogari bankare etj., janë vetëm një pjesë e pasurisë së fëmijëve të Sali Berishës, të cilët nuk kanë asnjë biznes të deklaruar për të justifikuar pasurinë që posedojnë.
Po si u pasurua familja Berisha në harkun kohor prej tetë vitesh? Në vitin 2003, kur ka filluar të funksionojë inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të interesave, Sali Berisha ka deklaruar vetëm një apartament modest. Historia e pasurimit të dyshimtë të familjes zë fill në vitin 2005, kur Berisha erdhi në pushtet. Edhe pse në formularët e iLDKP deklaronte si të dhurata vetëm pagën e vet si kryeministër dhe pagën e bashkëshortes si mjeke, vilat dhe llogaritë bankare shtoheshin vit pas viti.
Kështu, nëse në vitin e parë të deklarimit, pra në vitin 2003, Berisha deklaronte thjeshtë një apartament në rr. L. Myzeqari, në vitin 2011, në deklaratën e fundit të dalë nga zyrat e iLDKP, Berisha dhe fëmijët e tij rezultojnë me dhjetëra apartamente. Me dhjetëra llogari të reja, apartamente të padeklaruara më parë, vila dhe miliona të rrjedhura nga llogaritë e mëparshme, rezultojnë në deklaratat e fundit të ish-kryeministrit Berisha, bashkëshortes Liri Berisha dhe bijve të tyre, Shkëlzen dhe Argita Malltezit….






