Gazeta e njohur Washington Examiner ka publikuar së fundi lajmin se dy biznesmenët e njohur shqiptarë Samir Mane dhe Shefqet Kastrati kanë paguar ish-agjentin e FBI MCGonigal, kundrejt premtimit se nuk do të shpallen non-grata nga SHBA. Gazetari John Schindler ka shkruar në Washington Examiner:
“McGonigal u tha biznesmenëve shqiptarë, se do të përballen me sanksione nga SHBA, (shpallja non-grata), të cilat do të shkatërronin bizneset e tyre, do t’u sekuestronin llogaritë bankare dhe do t’i jepnin fund udhëtimeve të tyre jashtë vendit. Megjithatë, McGonigal mund ta rregullonte këtë problem për një tarifë modeste prej disa milionë dollarësh. Disa kanë paguar vetëm 3 milionë euro. Të tjerët paguanin shumë më tepër.

Burimet për Washington Examiner thonë se McGonigal i kërkoi Shefqet Kastratit, manjatit kryesor të naftës në Shqipëri 12 milionë euro në vitin 2017. McGonigal u përpoq të merrte ryshfet nga Samir Mane, një tjetër biznesmen i njohur shqiptar, në një mënyrë të ngjashme. Në total shuma që ai mori nga biznesmenët shqiptarë është 30 milionë euro.

Burimet thonë se McGonigal tentoi operacione të ngjashme tronditëse në fqinjët e Shqipërisë, Maqedoni dhe Mal të Zi, të cilat të dyja përmbajnë pakica të rëndësishme shqiptare etnike.
Detajet janë të turbullta dhe kanë nevojë për hetim të plotë, por shqiptarët që kanë informacione, këmbëngulin se kanë qenë dëshmitarë të këtij aktiviteti të paprecedent të Charles McGonigal kur ai ishte një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së. Kjo kërkon një hetim urgjent nga Kongresi.”, shkruan gazeta Washington Examiner

Nëse është e vërtetë se Samir Mane dhe Shefqet Kastrati kanë paguar McGonigal, kjo tregon se biznesi shqiptar është në duart e personave të shantazhueshëm, nga çdo i korruptuar, ose psikopat. Në rast se kjo është e pavërtetë dhe gazetari amerikan është bazuar në thashetheme dhe jo në burime të vërteta, atëherë të dy biznesmenët Shefqet Kastrati dhe Samir Mane do të duhet të tregonin publikisht të vërtetën sipas tyre./M.T






