Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht në krye të shtetit shqiptar është Ilir Meta. Ky i fundit është shkarkuar vitin që shkoi nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë që fjalën e fundit për të e ka Kushtetuesja. Dje Partia Socialiste pati mbledhjen e grupit parlamentar ku është diskutuar si për Metën ashtu dhe për presidentin e ri. Sipas burimeve, Rama është shprehur para deputetëve se pret që Kushtetuesja ta shkarkojë Metën në shkurt, ndërsa gjatë diskutimeve në grup është bërë e qartë se Meta pasi ta largohet nga Presidenca mund të shpallet i padëshiruar nga SHBA, njësoj si Berisha. Edhe në fjalën e tij gjatë kohës që ishte prezente media, Rama e dha këtë sinjal për Metën. “3 lider njëri “grata”, tjetri “non grata”, i treti të dyja bashkë edhe “grata” edhe “non grata”. 3 popuj pas tyre, populli i 11 dhjetorit, i 18 dhjetorit dhe i 2 marsit, ky treti i vërteti që merr jetë mes të parit dhe të dytit”, deklaroi Rama.
Presidenti i ri nga jashtë
Duke folur para deputetëve, Rama deklaroi se PS do të nisë procedurat për presidentin e ri pavarësisht se si do të shkojë fati i Metës. Ai tha dje se mund të kemi një president nga jashtë vendit. “Presidentin duhet ta zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë. Ndërlikimi me krijimin e dy Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare, por ndërkohë duhet të mendojmë për mënyrën sesi mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë a një tjetër duhet të gjejmë mënyrën për të gjetur një emër për figurën e presidentit apo presidentes së re të Republikës. Kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike dhe kushtetuese që t’i japim shqiptarëve në krye të shtetit një njeri normal, në radhë të parë. Presidenti mund të gjendet këtu mes nesh, por mund të jetë edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Do iu lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens dhe cilido që ka një ide sesi mund të organizohemi”, deklaroi ai.
Ismail Kadare kandidatura kryesore?
Po kush është kandidatura më potenciale që vjen nga jashtë vendit? Sipas burimeve, në korridoret e PS flitet se ai mund të jetë Ismail Kadare. Figura e vetme jashtë vendit që përfaqëson unitetin e popullit është shkrimtari në fjalë dhe Rama ka një bashkëpunim të hershëm me të. Gjatë kohës kur po negocioheshin kandidaturat për pasuesin e Bamir Topit si president, post të cilin e mori Bujar Nishani, kreu i PS asokohe propozoi te partitë e tjera për president ish-ministrin Ismail Lleshi. Këtë emër ja kishte propozuar vetë Ismail Kadare. Rama nga ana tjetër në shumë raste ka thurur elozhe për Kadarenë, ndërsa takimet mes tyre janë të shumta. Kadare në fundvit ishte në Gjirokastër dhe ishte në shoqërinë e kryebashkiakut dhe deputetes Kumbaro. Ndërkohë Rama po ndjek dhe modelin italian. Sergio Mattarella është një i moshuar që drejton Presidencën në Itali dhe eksperienca e tij ka rezultuar e suksesshme. Nga ana tjetër Berluskoni shihet një kandidat potencial pavarësisht moshës. Edhe Kadare pavarësisht moshës, është një figurë potenciale. Një emër si Kadareja do siguronte edhe votat e nevojshme. PD nuk mund ta refuzojë një emër të tillë, ndërkohë që Kadare vlerësohet dhe nga amerikanët. Por emri i tij do të sheshonte përplasjet dhe me Francën. Pra, nëse shihet qëndrimi i Ramës, mund të shkohet te emri i Kadaresë për pasues të Ilir Metës.