Kryeministri Edi Rama ka mbledhur të vjetër e të rinj për të lajmëruar se kush do të jenë sfidat për mandatin e tretë. Kryeministri tha se mandati i tretë do të jetë përcaktues për të katërtin apo edhe për të pestin. Ndërsa vleresoi punën e kaluar, u shpreh se asnjë prej deputetëve që do të implikohen në dhënie tenderash apo përfitime të tjera nuk do të jenë vetëm në dorën e SPAK por edhe në “dorën” e Ramës. Sipas tij, kushdo që do të abuzojë, do të përballet me ligjin, pasi PS nuk do të jetë mburoja e askujt që cenon qëllimet dhe emrin e partisë për qëllimet e veta. “Duhet ta ngulni mirë në kokë se ndërhyrjet për të ndikuar në procese tenderash e vendimmarrje, janë armiqësore me qëllimet e atyre që na dhanë besimin për të drejtuar vendin. Janë të papajtueshme, janë të neveritshme, janë tradhtia më e madhe. Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne, gjithë anëtarësinë e PS, por edhe për ata që na kanë zgjedhur ose jo, si dikush që e ka në ballë logon e PS, ekspozohet nga organet e drejtësisë si ndikues apo përfitues i të mirave publike, faji është i tiji, por turpi është i të gjithëve ne, nëse nuk e vendosim të qartë e të drejtë vijën e kuqe. Kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt që cenon qëllimet dhe emrin e PS, me qëllimet e veta”, tha Rama prerë.
Denoncim dhe hetim
Kryeministri ndër të tjera theksoi se para se të veprojë drejtësia, do të jetë PS, që për çdo denoncim do të hetojë dhe faktojë. “Akuzat dhe denoncimet ndaj kujtdo prej nesh nuk do të reshtin, por ne duhet të jemi të vëmendshëm. Nuk do të presim SPAK, do të jemi kërkues, hulumtues, grumbullues faktesh e provash”, tha Rama duke nënvizuar se do të jetë vetë qeveria që të nxjerrë së shpejti elektronikisht, në kohë reale, të gjitha pikat ku ngecin, bllokohen, pengohen shërbimet e shtetit. “Në këtë drejtim do të jetë me rëndësi të veçantë angazhimi i deputetëve me komunitetet e tyre, si dhe përfshirja më e madhe e komunitetit dhe i vet partisë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Marrëdhënia me Kosovën
Kryeministri Edi Rama pranoi edhe njëherë se jo gjithçka shkon vaj në marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës, e cila drejtohet nga Albin Kurti, pas përplasjeve për nismën e “Ballkanit të Hapur”. Pavarësisht kësaj, Rama tha se ne do të punojmë me përkushtim me qeverinë e Kosovës për projektet mes dy vendeve. “Duhet një qasje dhe cilësi e re në marrëdhëniet me Kuvendin e Kosovës, duhet të jemi shumë më të pranishëm në Prishtinë për të diskutuar atje për të ndarë opinione në interes të dy shteteve dhe do i ftojmë shumë më tepër ata. Me qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur” ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes, por ne do të punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore duke u përkushtuar në ato punë dhe drejtime që na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për “Ballkanin e Hapur” që është zgjedhje e drejtë për të ardhmen e këtij vendi dhe rajoni ku sa më shumë të hapemi dhe ndërveprojmë aq më shumë do të forcohemi në funksion të perspektivës europiane”, u shpreh Rama.
“Dhëmballa e prishur” në PD
Ndër të tjera Rama tha se PD do të hyjë në parlament me një dhëmballë të prishur, referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha i cili është shpallur “Non Grata” nga SHBA. Sipas tij kjo ”dhëmballë” i ka infektuar të gjithë fytyrën PD duke e bërë atë të pavotueshme. “PD do vijë në parlament me një dhëmballë të prishur të cilën ska kurajo ta shkulë dhe as vullnet ta qetësojë. Infektimi i fytyrës së Pd nga ajo dhëmballë duke bërë PD të pavotueshme dhe të shpërfyturuar. Pavarësisht se kemi lënë përshtypje të ndryshme sduhet ta kemi gjatë mandatit të 3 luftën me PD. Në fund të këtij mandati sdo vlerësohemi për çfarë i thamë dhe çfarë i bëmë PD, po për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë”, shtoi Rama. Po ashtu ai ju ka kërkuar deputetëve të kenë etikë në Parlament dhe në Komisionet Parlamentare. “Kush do ta kalojë cakun etik në deklarime publike kush jep shembull të keq në Kuvend apo Komisione Parlamentare, provokime dhe sjellje ekstreme, apo politikë për konflikte dhe jo tema që u interesojnë njerëzve, do jetë një shqetësim jo për opozitën por për grupin dhe për mua”, tha ai.
Spiropali dhe Balla
Në fund të fjalimit të tij kryeministri bëri një falenderim të veçantë për kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe ministren për Marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali duke i konfirmuar sërish në detyrat e tyre në mandatin e tretë. “Sot është dita për të falenderuar të gjithë deputetet dhe deputetët, anëtarët e kryesisë së Grupit Parlamentar, drejtuesin Taulant Balla dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropalin. Taulanti ka drejtuar grupin me këmbëngulje të spikatur dhe Elisa ka qenë e përkushtuar duke përfaqësuar qeverinë me aftësi në debate parlamentare. Të dy kanë konfirmimin e tyre në detyrë në mandatin e tretë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS-së në qeverisje”, tha kryeministri.