Presidenti Joe Biden zotohet se SHBA do t’i gjejë autorët e sulmeve në aeroportin e Afganistanit

0

Presidenti amerikan Joe Biden premtoi të enjten se Shtetet e Bashkuara do t’i gjenin autorët e sulmeve vetëvrasëse dhe personat e tjerë përgjegjës për ato sulme vdekjeprurëse, anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik, jashtë aeroportit të Kabulit, ku mijëra njerëz ishin mbledhur me shpresën për të ikur nga vendi i kontrolluar nga talebanët.

Autorët e sulmeve kishin goditur orë më parë në dy vende përreth perimetrit të Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, pranë Portës Abbey dhe para një hoteli aty pranë.

Të paktën 60 afganë dhe 12 trupa amerikanë u vranë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe afganë. Më pas Pentagoni konfirmoi se një ushtar i 13-të kishte vdekur. Të paktën 143 afganë të tjerë u plagosën, njoftoi agjencia së lajmeve Associated Press.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë Reuters se forcat amerikane në Kabul po përgatiteshin për sulme të tjera nga Shteti Islamik.

Viktimat e sulmit ishin të parat mes ushtarëve amerikanë aqë nga shkurti 2020. Ishte incidenti më vdekjeprurës për trupat amerikane në Afganistan prej një dekade.

Gjenerali amerikan Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së tha gjatë një konferencë për shtyp në Pentagon se 11 marinsa dhe një mjek i Marinës u vranë dhe 15 trupa të tjera u plagosën. Ai tha se një përplasje me armë pasoi sulmet me bomba.

Më vonë të enjten, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, njoftoi agjencia e lajmeve e grupit në kanalin e tij Telegram.

Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja dënuan sulmet, ashtu si edhe zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid.

Në fjalimin e tij, zoti Biden u zotua se evakuimet do të përfundojnë dhe Shtetet e Bashkuara do t’i kapin ata që qëndrojnë pas sulmit.

“Ata që kryen këtë sulm, si dhe cilido që do t’i bëjë keq Amerikës duhet ta dinë: Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti tha se evakuimet do të vazhdonin.

“Ne do t’i nxjerrim (nga Afganistani) amerikanët që duan të largohen,” tha ai.

Gjenerali McKenzie i bëri jehonë presidentit.

“Ne vazhdojmë të ekzekutojmë misionin tonë Nr. 1, që është të nxjerrim sa më shumë të evakuuar dhe qytetarë nga Afganistani,” tha ai gjatë konferencës për shtyp.

“ISIS nuk do të na zmbrapsë nga përmbushja e misionit,” tha gjenerali McKenzie. Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i përmbahen afatit të 31 gushtit për të tërhequr të gjithë trupat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu