PD do përjashtojë Sali Berishën/ Nën ethet e urdhrit të Yuri Kim, ja lëvizja e Bashës

0

Partia Demokratike pritet që të dalë me një qëndrim zyrtar përsa u takon raporteve me ish-kryeministrin Sali Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga amerikanët.

Në 19 maj të këtij viti Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes një vendimi, zbuloi se ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij nuk iu lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi janë përfshirë në korrupsion dhe kanë investuar në minimin e demokracisë. Por kur kanë kaluar thuajse 3 muaj nga ky vendim dhe në kushtet kur kreu i PD, Lulzim Basha nuk ka folur asnjëherë për shpalljen “non grata” të Berishës, gazeta ka mësuar nga burime shumë të sigurta, se Partia Demokratike do të mbajë një qëndrim zyrtar për Sali Berishën.

Pak ditë më parë gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat nga oborri i selisë blu, ambasadorja amerikane në Tiranë kërkoi hapur që PD duhet të distancohet prej Berishës dhe si duket ky ultimatum ka bërë që lideri demokrat të reflektojë. Mësohet se zoti Basha në javën e parë të shtatorit, përkatësisht disa ditë para se të konstituohet Parlamenti i ri, do të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së PD, në të cilën do të diskutohet për fatin e ish-kryeministrit.

Madje, sikundër theksoi i njëjti burim për gazetën, mundësia më e madhe është që Kryesia e Partisë Demokratike e udhëhequr nga Basha të distancohet nga Berisha, ndonëse nuk ndihet nëse ish-kryeministri do të përjashtohet ose jo nga grupi parlamentar i demokratëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu