Covid- 19 u merr jetën të pamundurve; Rama, Berisha, Meta, Basha, Monika, të dobtëve u marrin paratë!

0
Qeveria dhe opozita kanë rënë në hallin e hajdutit që i ka humbur maska duke ikur me vrap, shqiptarët kanë rënë në hallin se nuk kanë asnjë fakt përveç hajdutëve dhe gjësë së vjedhur, ndërkombëtarët kanë rënë në hallin se nuk gjejnë “bari” që të marrë përsipër një tufë me dele të lodhura në këtë pranverë pandemie, ku tërë të “fortët” u janë turrur të “dobtëve”.

Shkruan Sokol Pepushaj

Vetëm këto kohë të Kovid 19, ose coronavirus-it, këta liderët e politikës shqiptare janë në rolin e vet.

Në rol i ingranojë sëmundja, sidomos kur ca burokratë të OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë), e pagëzuan Pandemi Botërore.

Hajdutët shqiptarë, gjetën rast të bëjnë sikur i bashkojë halli. Secili në formën e vet, njëlloj si në 28 vite vjedhjeje, nisën presionin, panikun.

Në simfoni perfekte, thuajse të gjitha Tv-të, kërkojnë këdo të njohur, edhe idiot qoftë, vetëm të flasë o si mjek o si reporter nga çdo cep i botës. Të tregojë broçkulla, të përhapë panik , të gënjejë për masa të rrepta, për mungesë parashë nga të tëra shtetet e Botës dhe të thotë se Edi Rama është shëmbulli i Coronavirusit dhe popullit të vet!

Një infermier nga Rimini, mund të flasë si mjek në Angli, të kritikojë Mbretërinë e Bashkuar e të ngrejë në qiell jo vetëm Ramën, po tërë aktorët e politikës shqiptare, madje edhe ekranin ku gënjen, dhe askush nuk merr vesh asgjë.

Pra, Rama, Meta, Basha, Monika, Saliu e deri tek Skënder Gjinushi i Akademisë së Shkencave, përpiqen t’i gjejnë botës defekte dhe lajmin “bombë” ku burrokratët e Coronavirusit provokuan dinamikën e Presidentit Amerikan Donald Trump për ndërprerje fondesh OBSH-së, përpiqen ta eklipsojnë nga vëmëndja e publikut të ngujuar në shtëpi, në injorancë e fukarallek.

Disave u pëlqen t’i japin këtij cikli, edhe pse në mbyllje, hije të rëndë, hije lufte.

Se popujt janë kështu. Vdesin 7 e tmerrohen 7 miliard.

Studiuesit janë dakordësuar se Kovid 19 merr jetët e më të dobtëve, ndaj dhe tmerri ka disa lozha ku kapardiset. Disa e ndjejnë ende veten komod vetëm për shkak të moshës, apo edhe pse kanë edhe pak vite të kalojnë në zonë të kuqe.

Studiuesit sërish janë dakordësuar se Kovid 19 na paska edhe ves disi të ndryshëm nga ligësirat e tjera, sa askerkush nuk ka një përcaktim. Madje nuk ka as ide njeriu i sotëm se ku qëndron Coronavirusi; në tokë, në ujë, në ajër, në rroba, në monedha. As sa jeton, as me ç’ushqehet, as me ç’kërkon, nuk ka ende një piketë të ngulur në një copë tokë të këtij Globi.

I vetmi oreks i tij që njihet tashmë është se sulmon të dobëtit. Bile edhe aty bën naze; o përzgjedh, o nuk i godet me të njëjtin”zëmërim”

Ndryshon shumë një i dobët gjerman, Australian, Amerikan, Zvicerian etj. me një të dobët shqiptar.

Atje, shumë të dobët duket e “trëmbin” sëmundjen me presionin e të “zotit të shtëpisë”.

Kurse këtej, njerëzia ka qëlluar e butë si dele, e nënshrtuar nën pushtet, thua se lyp lëmoshë.

Po po, të gjithë, me Metë e Berishë, me Monikë e Lul, me Ramë e Gjinush, me Taulant e Palokë e deri me Patoza Joza, llafosin permës FB për milionat e eurove. Janë turrur nëpër teren me makina të shtrenjta, dhjetëra mijëra “shpërndrës” trastash me bukë, qepë, djathë, makarona, oriz , vaj. Si në luftë.

Kot nuk foli kryeministri. Se në luftë ka krizë, në luftë ka armik, në luftë ka humbje, por ka edhe kulte. Ka kulte, se ndryshe s’do kishte ideale.

Edhe këtë e din kryeministri, se ndryshe nuk do bënte si Zabit.

Po kult më të madh se vjedhja, a ka në Shqipëri?

Këtu është Çelçsi, jo ai i Tiranës së Erion Velisë që përdoret për fallcitete teknike. Këtu është çelësi sekret i mundësimit dhe të drejtës për të ushqyer viktimat në paradhomën e vdekjes.

Nuk është model i ri. Vjen nga lashtësia. Nuk e ndjenë kurrë skllavi sa e shfrytëzon, ai ndjen kur ti i furnizon stomakun që të mos i bëjnë grevë zorrët.

Po edhe për revolucionet kanë mënduar këta hajdutët tanë. Kanë “rrotacionin” politik medemek. E bëjnë vetë. Çdo 8 vjet e kanë përcaktuar. Pa vota fare madje. Kështu janë llafosur jo vetëm Luli me Ramën, port ë tërë dhe presin vitin tjeter.

Po kush ua prishë terezinë?!

Secili, me një grusht kripë, orienton “bagëtitë” e veta nga cilido monopat që do.

Ky popull është i butë. Edhe beson.

Varej dikur në mur fotografia e Enverit, i luteshin spiunë e komunistë, varej e Berishës, i luteshin idiotë e kriminelë, varej e Fatosit, i luteshin dyqanxhijë e kumarxhijë.

Po sot?

Hata hesapi. Socialistët mbajnë foton e Ramës, atë të Parisit, se nga ngrefosja me stil mashkullor, ata ndjejnë art që frymëzon për rilindje, LSI-stët mbajnë foton e Monikës me Metën bashkë, atë mes florit, se ndjell pasuri, demokratikasit mbajnë Lulin dhe Berishën, por janë në dilemë se koka e cilit peshon më shumë për ta:

Dyshon ndokush tek “kokat” e politikës?

Ta sqarojmë thjeshtë fare.

Ecim diku në rrugë, vemi diku në një treg, në një merkato, në një plazh, kudo nëpër malësi, futemi në një bankë, në një shtëpi të thjeshtë e presim sa të vijnë pjatat, apo, edhe u bëjmë një printim ish pasurive dhe pasurive aktuale të politikanëve, pushtetarëve dhe ishëve.

Pas këtyre veprimeve të thjeshta pa frikë themi;Të gjithë pushtetarët e ish pushtarët janë hajdutë, kanë vjedhur më të dobëtit.

Po kështu e paska kjo dynja, halli hallit nuk i ngja.

Qeveria dhe opozita kanë rënë në hallin e hajdutit që i ka humbur maska duke ikur me vrap, shqiptarët kanë rënë në hallin se nuk kanë asnjë fakt përveç hajdutëve dhe gjësë së vjedhur, ndërkombëtarët kanë rënë në hallin se nuk gjejnë “bari” që të marrë përsipër një tufë me dele të lodhura në këtë pranverë pandemie, ku tërë të “fortët” u janë turrur të “dobtëve”./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu