“Preka i Gjonit” vjen në Shkodër nga shkrimtari Leke Imeraj

0

Promovohet vepra që sjell një personazh real, frymëzues për brezat.

Shkruan Kozeta Bruci

“Preka i Gjonit” ka sjellë sëbashku në bibliotekën “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, shkrimtarë, intelektualë, lexues të rregullt, jo vetëm të këtij qyteti, por edhe nga Tirana, Prishtina, Tuzi, etj. “Une….vetëm guxova” është nëntitulli i kësaj vepre që intrigon këdo për ta pasur veprën në dorë.

Autori i mirënjohur Lekë Imeraj, ka befasuar lexuesin kësaj radhe me perzgjedhjen e një personazhi nga jeta reale dhe zbulimin e një rrugëtimi sfilitës që e vendos atë në përballje me sfidat, për të kuptuar cfarë e udhëheq njeriun me zemër të mirë në përballjen me vështiresitë e panumerta.

Historia e Prekes, nga fshati Kllogjen të Dushmanit, në njësinë administrative të Shllakut, vjen si një radiografi e një realiteti shumë pak të njohur ose ne rrezikun e fshirjes nga kujtesa e atyre pak që e dinë.

Nisja e jetës në një fshat ku paragjykohej gjinia që në lindje, kalvari i mundimeve, mbartja kudo, ku hidhte këmbën, e pjesës më të mirë të mendësisë nga vendlindja  e tij, vijnë përmes detajeve të mrekullueshme dhe të besueshme, pa fryrje artificiale, për të krijuar figurën e heroit në vepër.

Në promovimin e librit, të pranishmit ngritën vija paralele mes opinioneve të studiuesve rreth veprës dhe personazhit të pranishem në sallë. Pikat e takimit janë befasuese, c’ka tregon analizën e hollësishme që autori Imeraj i ka bërë atij. Një përputhshmëri, e cila nis që tek qëndrimi i Prekës, butësia e tij, edhe pse me pamje vigani, si dhe heshtja dalluese e një njeriu punëtor.

Po përse një personazh i thjeshtë në dukje meriton një vëmendje të tillë, dhe një libër të posacëm?

Asnjë bëmë e pazakontë nuk do ta rrise kërshërine për ta lexuar veprën. Asnjë konflikt i hapur nuk do rrisë vëmendjen për të pritur rezultatin. Preka luftën e tij e ka me jetën. Përkujdesja ndaj 11 frymëve që lë në vendlindjen e tij, e vendos atë para përgjegjësive morale të pa shkruara, duke u kthyer në shpëtimtarin e vetëm të një familje, e cila jetonte në skajet ekstreme të varfërisë. Nje adolishent, ende i pa rritur mirë, provon rrugëtimin e gjatë e të pasigurte të jetës pas viteve 1990. Depërton mes një terreni të vështirë në zonat kufitare drejt Greqisë, ku askush nuk të jepte garanci për jetën e ku prania e ndonjë kufome gjatë monopateve të kallte datën. I riu pranoi cdo vuajtje në heshtje, u vetmohua, i hoqi vetes cdo të drejtë për të gëzuar jetën. E gjitha kjo, në emër të asaj dashurie që ai udhqeu dhe ushqen ende për të afërmit e tij.

Pranimi i fatit, mos dorëzimi para asaj që quhej e pamundur, janë në dyluftim të përhershëm gjatë gjithë kalvarit të mundimeve.

Ajo që e bën vepren të përpihet gjatë leximit është gërshetimi mjeshtëror që autori Lekë Imeraj i ka bërë faktit të ngjarjes me interpretimin psikologjik. Duke qenë se vepra do të lexohet edhe nga ato mosha që nuk e kanë njohur realitetin shqiptar para viteve 90, ka qene më se i nevojshëm interpretimi i disa mendësive. Vepra nuk do të kuptohej nga të gjithë nëse ato nuk do të ishin shpjeguar aq këndshem, aq qartë, dhe prezantuar me nje stil letrar mjaft mirë te perpunuar nga autori Imeraj. Analiza, e cila e ruan masën e saj pa na shkëputur nga subjekti i veprës, krijon konceptime të drejtpërdrejta, të cilat udhëtojnë natyrshëm me stilin e të rrëfyerit. Vepra kurrsesi nuk merr përsipër të bëjë biografinë e një njeriu, por përpiqet të sjellë një panoramë të një brezi të tërë,  i cili bëri një luftë të ashpër për mbijetesë dhe që dëshmoi se familja shqiptare ka qenë një familje me rrënjë të forta, ku jo gjithmonë gjërat duhen interpretuar mbi bazën e patriarkalitetit. Në këto marrëdhënie para së gjithash kishte dashuri, sakrificë, ndihmë dhe përgjegjësi. Janë këto tipare që gjithnjë dhe më tepër po i  zbehen shoqërisë shqiptare. Familja tek ne po e humbet bërthamën e saj, dhe Preka i Gjonit është modeli pas së cilit duhet te frymëzohen prindërit dhe edukojnë fëmijët e tyre.

E parë në planin individual, cdokush nga ne e ka të nevojshme të njohë një histori suksesi, sidomos në rastet kur cdo gjë niset nga zero. Preka u nis në kulmin e varfërisë nga Kllogjeni, emrigroi në Greqi, Itali, Angli. Bëri punë të rënda, mbajti familjen. Historia nuk perfundon këtu. Ai rikthehet në atdhe dhe me ato pak kursime që kishte grumbulluar nisi aktivitetin e tij privat. Sot Prek Gjoni ka në pronësinë e tij 4 markete në Shkodër dhe 2 në Lezhë. Janë 60 punëtorë që janë punësuar pranë bizneseve të tij. Preka vijon të bëjë jetën plot sakrifica. Kësaj radhe sistemi i të punuarit fort, është pjesë e natyrës dhe psikologjisë së tij. Zgjohet në orën 3.30 te mëngjesit. Ai vetë bën shpërndarjen e mallit në markete, kujdeset për cdo gjë. Nuk është aspak tipi i zyrës. Fizinomia e tij dëshmon një njeri që punon fort, me duart plot kallo. Preka qëndron para të pranishmëve në sallën e bibliotekës si i zënë në faj. Ai është njeri modest dhe e mbulojnë djersët për cdo fjale të mirë që thuhet rreth tij. Me gjysëm zëri falenderon këdo. Ai mendon se jeta e tij nuk është më  e mirë se e të tjerëve dhe ai vetë nuk është më i ditur së të tjerët. Asnjë lavdërim apo mburrje nuk dëgjohet nga goja e tij. Preka bëhet për të pranishmit aty, model i njeriu jo vetëm punëtor por edhe me zemër të mirë. E ndoshta kjo është një arsye e fortë për ta njohur atë përmers veprës, shkruar nga autori Lekë Imeraj dhe gjetur dritë shprese në reaitetin e zymtë, në të cilin jetojmë.

 

 

 

 

 

“Duke udhëtuar në pasazhet dhe labirintet e tekstit, bindemi deri në mahnitje për talentin e  shkrimtarit dhe aftësinë e madhe të pasqyrimit të gjendjeve shpirtërore e të peripecive të jetës së heroit. Tashmë libri merr trajtën e përgjithësimit, bëhet vepër e vërtete letrare”,- u shpreh profesori i nderuar dhe kryetari i shoqatës së shkrimtare Shkodër,  Zija Vukaj. Akoma më emocionuese ishte fjala e dramaturgut të mirënjohur shkodran dhe Mjeshtrit të Madh Fadil Kraja, për forcën frymëzuese që të jep ky personazh dhe që qëndron në një perballje të ashpër me atë që na ofron realiteti shqiptar cdo ditë. Psikologia e mirënjohur Suela Ndoja, pas leximit që i kishte bërë veprës, zbuloi para të pranishmëve botëkuptimin e heroit dhe vërtetësine e tij, sjelle me mjeshtëri nga Imeraj. Aktoria e mrekullueshme Merita Smaja interpretoi fragmente emocionuese nga vepra duke i bërë të mbanin frymën në sallë nga kureshtja. Një përshëndetje tepër e ngrohtë përgëzimi ndaj autorit Imeraj, u bë dhe nga prof.dr. Teuta Bicaj e ardhur nga Prishtina. Po ashtu prof.dr. Mark Palnikaj solli në vëmendjen e audiencës kontributin ndër vitë të autorit të vepres, Imeraj, duke vënë theksin jo aq te prodhimtaria, sesa tek roli i Imeraj në emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Por le të ndalemi pak tek ky i fundit. Kush është Imeraj?

Lekë Imeraj është autori i 25 librave të botuara deri tani. Një shkrimtar mjaft produktiv, që ka krijuar një repurtacion mjaft të mirë në Shkodër dhe jo vetëm. Në veprat e tij do e gjejmë herë si shkrimtar dhe herë si publicist apo si përkthyes i gjuhës gjermane. Prej 2 dekadash jeton në Gjermani dhe kjo i ka dhënë dorë të krijojë një mendësi europiane në analizimin e fenomeneve shoqërore. Leximet e shumta dhe shkrimet e kanë bërë tashmë atë një sociolog të shkëlqyer. Në rrethet letrare dhe në biseda me intelektuale shquhet për gjykimet me mendje te ftohtë të situatave nga më të thjeshtat e deri tek ato që lidhen me fatet e kombit. Drama “Terror” përkthyer nga Imeraj korri një sukses tepër të madh në Tiranë dhe u luajt nga aktoret më të mirë shqiptarë. Por cilat janë disa nga veprat e tij më të njohura? Tematika e tyre ndahet ne rrafshet: psikologji, filozofi dhe sociologji. Me veprën e 25-të “Preka i Gjonit” ai lëvroi edhe letërsinë artistike me mjaft sukses. Imeraj u ka kushtuar vepra femijeve dhe adolishentëve si: “Tomi mëson, luan dhe vizaton”, “Ne nuk jemi më fëmijë”, “Tragjedhia seksuale e Gjermanisë”, etj. Por njeë mbresë të pashlyeshme tek lexuesit shqiptarë ai ka lënë me veprat dedikuar figurës së femrës, duke bërë analizën e detajuar të gjithë psikologjisë së saj dhe dukë e vënë atë në përballje me burrat, me qëllim që të dy palët ta njohin njeri -tjetrin para se të paragjykohen. Vepra që jane mirëpritur në këtë fushë janë: “Të fshehtat e gruas”, “Viktima të pushtetit te verbër”, “Unë studente dhe prostitutë” (perkthim), etj. Lekë Imeraj konisderohet ndër të paktët autorë në Shqipëri që ka marrë përsipër të trajtojë me kurajo tema me rëndësi botërore, nisur nga aktualiteti dhe shqetësimi në mbarë opinionin ndërkombëtar që vërtitet rreth tyre, si psh: “Nën hijen e diktatorit”, “Leila akuzon”, “Xhihadistët e rinjë”, “Rrymat dhe lëvizjet fashiste brenda botës islame”,(përkthime) etj.

Të gjitha botimet e Imeraj priten me padurim nga lexuesit. Para 15 viteve ai theu tabutë në mendësinë shqiptare, gjë që jo pak e ka vendosur atë në pozita kontestimesh me pseudo-intelektualë. Eshtë një luftë që Imeraj vazhdon ta bëjë edhe sot dhe lehtësisht kuptohet se asgjë nuk do ta ndalte në rrugën e zgjedhur, për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë e sidomos shqiptarëve, një zhvillim që para së gjithash duhet te nisë tek formimi i brendshëm shpirtëror, mendësia e përparuar dhe krijimi i vizionit të qartë për të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu