Në komunikimin e mbajtur për mediat këtë të diel liodhur me protestën e së shtunës mbrëma, Kryeministri Edi Rama tha se është përballur me shqetësimet e qytetarëve se pse nuk u kundërveprua me forcë dhe pse protestuesit e dhunshëm nuk u futën në burg.
Në këtë drejtim Rama tha prerazi, “Ne nuk jemi ata, s’kemi qenë ata dhe nuk do të jemi kurrë ata. Ata janë rrugëhumbur që u thotë mendja se do e nxjerrin jashtë kontrollit Shqipërinë, për shkak të ankthit të tyre në raport me drejtësinë”.
Sipas tij, ata që janë koka e kësaj veprimtarie të pakohshme dhe të turpshme, nuk e kanë dashur dhe nuk do e duan refoermën në drejtësi se i friken drejtësisë si “djalli temjanit”.
Kreu i ekzekutivit tha se nuk goditet qeveria jo nga 7 orë, por as nga 700 orë dhe 7000 orë, kapsolla dhe bomba molotov, por goditet përveç Policisë së Shtetit, burrave dhe grave nën uniformë, vetë Shqipëria.
“Kush fitoi nga përhapja e dhunës në gjithë pasqyrat informative të botës? Kush fitoi? Askush! Kush humbi? Humbi çdokush nga ata që erdhën në protestë jo për të hedhur bomba molotov, por sepse besojnë në diçka tjetër, janë njerëz që në të përditshmen e tyre nuk jetojnë si udhëheqësit e tyre rrugëdalë. Udhëheqësit e tyre rrugëdalë i kanë punët në rregull, askush nga ata nuk rri pa gjumë se nuk e di se si do e shtrojë tavolinën nesër”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se synimi i tyre është që të vendoset vendi në kushte pamundësie dhe të shkatërrohet themeli i rendit kushtetues për të konfirmuar se “ose ne në pushtet, ose këtu vetëm qamet. Nuk do t’ia dalin, ju siguroj”.
Rama drejtoi një mesazh për “mikun tim rrugëhumbur”, siç e quajti Lulzim Bashën.
“Kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge. Po ta përsëris prapë: Nuk je vonë akoma të dalësh nga kjo rrugë. Më herët se vonë llogarinë ata që të ndjekin, do të ta kërkojnë ty! Se nuk ka lider në botë që ta tërheqë partinë e vetë nga stacioni i një alternative qeverisëse në stacionin ku thërret ‘Aman ik!’ Patjetër që unë jam këtu i gatshëm për dialog”, tha Kryeministri.
Sipas tij, përderisa nuk kanë nevojë për karrige duke qenë se i kanë djegur të tyret, pasi nuk duan pushtet dhe karrige, “Ulemi dhe flasim dhe i kthejmë në veprim dhe nisma ligjore ato që si popull, kanë shqetësim”.
Rama tha se turpi do i ndjekë pas gjithë kohës, ata që kanë ende mundësi të ndjejnë turp.