Te mani i vorreve

0

Shkruan Bukra Hysenukaj

N’hymje t’katundit tem, në t’dy anët e rrugs kryesore, janë vorret. Mes tyne ka nji sheshpushim si stacion, ku t’doket se t’presin e t’përcjellin t’gjallë e t’dekun. Prej se jam ba me majt mend, nji man (mand) i madh, u ka ba hije atyne vorreve. Mani i vorreve i kanë thanë. E kish pas mjellë Baba kur asht kanë fmij. U pjekke i pari e marojke i fundit. Aq u identifikojke mani me vorret, sa kur rajshin fmija e katundeve tjera me hangër n’te, nuk thanshin “po shkojmë te mani i Hysenukaje” por “te mani i vorreve t’Hysenukaje”. Ishte man i bardhë e kokërr vogël, mjaltë i amël. Nuk kam pas lanë degë pa ja shetit, si rrugicat ma t’fella t’nji qyteti t’adhuruem. Hupsha n’naltsinë e tij. Dimni që shkoi e muer manin. E muer moti, si e pat marrë Babën. Degt si shpatulla kreshniksh ishin kanë plakë, sa nuk mujten me mbajtë peshën e akullit. Ato janë ba dru zjermi për dy dimna. Manit i ka met veç stupi i poshtëm. I cunguem tash shërben si vendulje për ndonji Loke që del me pritë e me përcjellë t’bitë rrugve t’lergta. Tash vorret kanë met shplue. Bora ma shumë ka me u peshue e zhegi ma shumë me i përvlue. Ai, deg nuk ka ma me i mlue, veç rrajt e tij kanë me shekullue ndër ato vorre si rojtare shpirtnash, për çka doket e kish pas mjellë Baba.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu