Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mësohet se kanë gjetur dhe piketuar 15 prokurorët e guximshëm që do të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Emrat e prokurorëve nuk janë bërë ende publike, për shkak se politika ka ende fuqi kriminale dhe financiare për të ndryrë dhe për t’i detyruar që të tërhiqen. Mbi 90 për qind të shqiptarëve dhe ndërkombëtarët do t’u besojnë këtyre 15 prokurorëve shkatërrimin e mafies politike të Tiranës, e cila ka tre dekada që vjedh, sundon dhe mban peng Shqipërinë.
Ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i hapë rrugë ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të dyja këto struktura do të hetojnë çdo akuzë dhe do të hapin çdo dosje për kryeministrin dhe ish-kryeministrin, presidentin dhe ish-presidentin, ministrat dhe ish-ministrat, kryebashkiakët dhe ish-kryebashkiakët, deputetët dhe ish-deputetët etj. Dosjet do të shkojnë për gjykim në një Gjykatë Speciale.
Zhbllokimi i SPAK-ut shënon dështimin e skenarit të fundit të mafies politike shqiptare për të sabotuar SPAK-un, me shpresën për të zgjatur në kohë fundin e saj dhe për të fituar kohë për fshehjen e pasurive. Përfaqësuesit e mafies politike shqiptare, që nuk lejon zhvillimin e vendit dhe integrimin e Shqipërisë në BE, që kanë ngritur sistemin më famëkeq të vjedhjes dhe riciklimit në pushtet, janë Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale është shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga kjo klasë politike dhe për të kthyer Shqipërinë në një vend normal.
Besimi dhe shpresa është e madhe tek SPAK-u për shkak se Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të ketë peshën kryesore në hetimin e korrupsionit dhe krimeve të mafies politike, do të jetë nën kontrollin e një komisioni të përbërë nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.