Sheikët e Gjirit të Lalzit në sekuestro!

0
Kush nuk e njeh Gjirin e Lalzit, Kodrën e Diellit, Mulletin, Pezën, Surrelin, bregdetin, qendrat e qyteteve, që vetëm shko, hape pak sytë, sekuestro miliona dollarë që askush nuk di ku i mori. I njeh cilido, emër për emër, prandaj edhe pse deri sot nuk hyjnë as rrezet e diellit pa leje të mafies,  e nesërmja nuk ndalet.

Shkruan Sokol Pepushaj

Erdhën si pushtues, sunduan si tiranë e po ikin si hajdutë. Të gjithë pushtetarët kështu.  Pasuritë e tyre shihen kudo, me sy të lirë. Por për krimin ekonomik nuk e çelin syrin as drejtësia, as ndërkombëtarët. Deri sot flasim, se po, ka “ilaçe” që hapin edhe sytë e përgjumur sot.

Amerikanët ka vite që peshkojnë, me “kallamin” kroat.

Nuk ka dyshim që po, me modelin kroat do kapen “Peshqit” që tashmë po u mbaron “uji”. Prandaj po studiohet me kujdes terreni, thellësia  e ujit, cilësia e peshkut, se këtej nga Europa, ka ca “sekrete” gjuetia.

Askush nuk e ka gjetur deri sot pse-në e paradokseve.

Këtu e kanë ngulur “ganxhen” e korrupsionit zyrtarët e shtetit, tek ishujt e parajsave fiskale, tek të panjohurat e njohura.

Europa ka plot ishuj.

Në ishullin e pajetë të Anfemoesse pranë Sicilisë, sipas mitologjisë normalisht,  jetojnë “Sirenat e Ujit”, të hijshme deri në frikë.

Për ata që nuk e dinë, Sirenat, femra të bukura, nimfa me bisht peshku, zogj me zë magjepës, joshin peshkatarët e pasi mpleksen, sigurojnë që jeta në ujëra të mos preket.

Një Sirenë mund të jetë ambasadore, por edhe një ambasadore mund të jetojë si Sirenë. Për shembull, ambasadorja Romana Vllahutin, sa ishte me punë këtej tek ne, gjithë ditën “gjuante peshk” me Edi Ramën e Ilir Metën, e pas pune, rehatohej në “ishullin” luksoz në  “vilat e Lundrës”. Atë pasuri, vërtetë e kishte blerë  1. 649. 000 euro, e dyshimtë kjo shumë, se aty është prona, por meqë fondet e BE-së, investohen në “ishuj” ku jetojnë Sheikë, ndoshta mbrohen nga “Sirenat” e Krimit.

Pikërisht, këtu është sekreti.

Aty, nuk ka nevojë për hetime. Ndërtimet janë krim i gjallë, edhe brenda vilave sot që shkruajmë flitet se ka drogë. Më qartë, kultivohet hashash. Shkoni e shikoni, e na tregoni çfarë bëhet andej nga “Ishulli i Sirenave”

Tre ambasadorët e fundit të SHBA-ve, kanë djersitur në përmbushje të pritshmërive të shqiptarëve, ndëshkimin e atyre që kanë vjedhur pasuritë publike dhe u shihen kudo, me sy të lirë.

Të jemi koshientë. Alexandër Arvizu,  zuri “krimbat” në Elbasan dhe meriton një faleminderit. Donald Lu, me ata “krimba” orientoi “Peshqit” drejt rrjetës. Prapë faleminderit ambassador!

Me “kallam” në dorë duhet të jetë edhe ambasadorja Yuri Kim, pasi mënutë e “peshkut” i njeh tashmë si ne e më mirë se ne.

Kush nuk e njeh Gjirin e Lalzit, Kodrën e Diellit, Mulletin, Pezën, Surrelin, bregdetin, qendrat e qyteteve, që vetëm shko, hape pak sytë, sekuestro miliona dollarë që askush nuk di ku i mori. I njeh cilido, emër për emër, prandaj edhe pse deri sot nuk hyjnë as rrezet e diellit pa leje të mafies,  e nesërmja nuk ndalet. Dhe një nesër është në kalendar, ku do regjistrojë lajmin që e pret çdo shqiptar; sheikët e Gjirit të Lalzit në sekuestro./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu