Pse Amerika i kreh “bishtin” Sali Berishës?!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Edi Rama dhe 3 Klanet e tjera Mafioze, janë mbledhur e bërë grusht…

Operacioni kundër parazitëve të shoqërisë, pasi paraja e madhe po përdoret si zbardhues i rrugëve të zeza deri në Shtëpinë e Bardhë, ka nisur me krehje të personazheve të parazitëve të përjetësisë, që politikën dhe pushtetin e nxjerrin në Pazar të sistemit, i vetmi që funksionon cilësisht.

Në sallatën ruse të satirës rurale, ka xhevahire xhelatësh.

Krehja e dosjes Mc Gonigal- Edi Rama, ngjan të ketë nxjerrë më shume parazitë se bishti i Sali Berishës, ndaj nuk ka si të ndodhë ndryshe, ose të dy ne burg, ose të dy në bum të ngjarjeve.

Se po, me bumet jemi mësuar këtej.

Edhe rrugëve ku ecim, kemi vendosur ca bume, se ata të bumit ekonomik, të shtypin me makinë, e fajin e ka viktima.

Makinat luksoze të krimit dhe makineritë ambicioze të balancave, nëpër pengesa shtojnë gazin e provokojnë amortizimin e epokave.

Republikanët e Amerikës mike, që këto ditë po ndezin motorët e rinj për rrugën e re, betohen se sustat e demokratëve në Shtëpinë e Bardhë janë dëmtuar nga rëndesa, e nuk i tërheqin mafiozët e Ballkanit për në thertore, t’i bëjnë sapun.

Dreq o punë, mos e kemi mish të huaj fjalën sapun, pasi edhe sapuni ka skaduar këtej?!

Kur Yuri Kim na solli ca kallëpe të markës “non-grata”, përveç shkumës që mbuloi fshatin, asnjë efekt nuk dhanë.

Delet e Saliut dhe gomarët e Edit po zhgërryhen në shkumë, sa non-gratave po u rritet tufa.

Këta non gratat e Bablokut, jo vetëm që nuk kanë njolla të zeza, por mbledhin vota me lopatë dhe i japin edhe Saliut aq sa duhet, për t’i thënë Amerikës, “s’ke ç’bën, rinovoja non-gratën”!

Atë punë bëri ambasada këto ditë, tha se nuk ka ndërruar qëndrim për non-gratat.

Po po, sapo diçka fshihet nga kujtesa jonë, pra skadon, rregulli i rinovimit, nuk vonon, duke shëruar plagën e Saliut që fërkon duart përballë faktit ironik, se as 5 për qind e shqiptarëve që jetojnë këtu, madje edhe ata zyrtarë e mafiozë, patronazhistë e ndonjë tek-tuk rastësisht, lëvizin të lirë për në Amerikë, të tjerët, të refuzuarit, nuk janë të ndjeshëm fare as për metafora e hiperbola, as për Saliun e Ilirin, as për Bablolun e Lali Erin.

Ashtu, që nuk e besojmë të vazhdojë gjatë, Saliu vazhdon punën për të vendosur gurë në rrugën drejt integrimit euro- atlantik, dhe çuditërisht nuk i tregohet rruga deri tek parlamenti, për t’i hequr imunitetin si deputet e për ta lënë si dhi të zgjebosur në mes të shkretëtirës.

Po po, nuk gabojmë kur themi, se Babloku ka hallin e tij, se nuk e lë Saliun pa shtazët e veta, se i duhet për luftë e për dashuri, për betejat në oazet që as Amerika nuk u kontrollon as kufijtë, as rregullat, as pasuritë dhe drejtësia rri gatitu, në kryqëzim të dilemës, edhe në krehjen e flokëve Frida Krifcës e Olta Xhaçkës.

Kot nuk flitet kudo nëpër fshat se Xhaçka është xhakoventoja e Bablokut.

Shiu i akuzave që bie mbi çadrën e grisur të qeverisë, nëse lag ministra e zyrtarë të lartë, nëse nxjerr nga shtrati lumenjtë e epidemisë shoqërore, nuk u lë mundësi peshqve të ecin përpjetë, kundër rrjedhës.

Rrëshqitja nëpër rryma i ka bashkuar mafiozët e bërë grusht, sa fshatarët fërkojnë sytë, pse Amerika nuk i bën sapun edhe Berishën edhe Ramën, por njërit i kreh dosjen e tjetrit bishtin?!/Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu