Ngjarja e Herceg Novit mbahet në qelq

0

Shkruan Frrok Çupi

Ajo që ndodhi para dy a tre ditësh dhe që mori median mbarë, nuk mund të lihet as të venitet si mjegull nëpër malin Orjen, dhe as të lihet rrugës si çdo copë guri.

Ajo është një ngjarje që mund të mbahet vetëm në qelq.

Tre a katër ditë më parë, tre djem shqiptarë, në Herceg Nov, u rrahën mizorisht nga disa (shumë) djem malazez. Rreth ngjarjes, dy shtetet po marrin e  japin, gjykatat, deputetët dhe ministrat shqiptarë në shtetin fqinj, ambasadat…, secili me mënyrën e vet.

Çuditërisht, të gjithë përshkruajnë; vetëm përshkruajnë ngjarjen si në një shollë plot me nxënës shembullorë në hartim.

Ky është meraku i parë, meraku se ditë pas dite ngjarja mund të zbehet dhe shkrihet si mjegulla në malin Orjen në Herceg Nov. Kur mjegulla e ditës të jetë bërë re dhe të shkaktojë ‘shi e bubullima’ diku tjetër në arenën Shqipëri- Mali i Zi, ose gjetkë në rajon; atëherë mund të jetë vonë. Rajoni është i ngarkuar me të papritura, njësoj si vetë shiu i vjeshtës me re dhe bubullima. Herceg Novi, s’është jashtë logjike që të jetë një nxitje për turbulenca.

Ja pra pse nuk duhet lënë të përhapet nga Zelenika, lart në Orjen e deri në Podgoricë, Tiranë apo Beograd e Athinë. Por shenjat e para të ‘mjegullës’ po ndodhin:

Përveç faktit se ‘tre djem shqiptarë u rrahën sapo zbritën nga anija’, të gjitha faktet e tjerë janë lëkundur e hallakatur. A ishte ‘punë të rinjsh’ ashtu në gjaknxehtësi, apo ndryshe? Pesë nga tetë dhunuesit janë arrestuar- sipas policisë së Malit të Zi. Por pse tetë vetë kundër tre vetëve, aq më shumë nga vendi fqinj? Asnjëherë nuk ka ndodhur kështu në kodet tona, malazez apo shqiptarë qofshin.

A nisi konflikti për arsye të parkimit apo të zbritjes nga anija? Edhe ‘për parkimin’ u tha; por edhe për ‘zbritjen’, pastaj asnjëra nga dy arsyet. Duket sikur arsyet i solli era aty buzë detit, dhe po era i mori.

Njëri nga ministrat e etnisë shqiptare në shtetin fqinj, aq dashamirës sa nuk thuhet…, por ‘si kot’ nxori një provë të kundërt. Tha se ‘makina e shqiptarëve nuk kishte targa RSH’, si duke dashur të davarisë arsyen etnike të konfliktit. Po aq më keq që ishte kështu; nëse e ndjek fillin, del se ‘targat e huaja mund të jenë planifikuar si kamuflazh nga shkaktarët e konfliktit’.

Në një nga kronikat televizive, realizuar në fshatin Zelenika- aty ku ndodhi; u tha se fshati është aq i qetë sa nuk mbahet mend ndonjë konflikt. Kjo do të thotë se dikush e ka vendosur konfliktin në ‘kopshtin Eden’ të Ballkanit bash me idenë për ta davaritur qëllimin.

Po që ndjehet një atmosferë ‘ngurtësimit’ i ngjarjes; dmth., ta bëjnë si shkëmbi e të mos flasë. Ideja është për ‘ta kaluar’ sepse jemi fqinjë të mirë. Në fakt kjo është kështu, fqinjë të mirë; por një ditë kjo ngjarje edhe mund të ngrejë jehona në Ballkan. Njëri nga djemtë e dhunuar tentoi të ‘kapet’ pas një flamuri  të vogël që kishte në makinë…, por kjo nuk ka peshë.

Peshë kanë ngjarjet e mëdha që janë gati të shpërthejnë në rajonin tonë. Vetë Mali i Zi është një shtet i vogël e paqësor në kufirin tonë. Deri pak ditë më parë kishte një kryeministër shqiptar, me prirje fantastike perëndimore. Qeverinë e re, studiuesit e kanë vënë në ‘tabelën’ e një frymë pro- serbe dhe pro- ruse.

Diku në kufi me Malin e Zi ndodhet Republika Srpska, presidenti i së cilës i shpallur ‘i padëshiruar’ nga SHBA, kërkon bashkimin e shtetit të tij me Malin e Zi dhe Serbinë.

Situata në kufirin Kosovë- Serbi është një situatë ‘e rreme’. Të dy palët luajnë ‘lojë luftërash’ para spektatorëve të Bashkimit Evropian. Duket se të dy palët ndodhen në një plan të përbashkët për ‘t’u ngrirë gjakun’ fqinjëve dhe aleatëve perëndimorë.

Edhe mes Shqipërisë dhe Greqisë punët nuk janë si në ‘Eden’. Nacionalistët grekë shpikën një ‘arrë xhungë’ si Beleri, për t’i treguar vendin Shqipërisë. Edhe kjo u sajua në kufijtë shtetërorë, diku në fshatin Peshkëpi; e pastaj u la në gjumë.

Të gjitha janë ngjarje në kufi.

Herceg Novi vetë është një qytet në perëndim të Kotorit, kufi me Kroacinë. Çudi se si po vendosen konfliktet në kufi të një shteti ballkanik me një shtet anëtar të BE…, Kroaci, Greqi, Bullgari! Provat vetëm duhen mbajtur në qelq dhe vëzhguar çdo çast se ç’drejtim marrin: as ngurtësohen, as mjegullohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu